E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, Patozi: Oferta jonë, ndryshimi dhe standardizimi i zonave rurale

VLORË- Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Astrit Patozi, njëkohësisht kandidat për deputet në Qarkun e Vlorës në zgjedhjet e 23 qershorit, prezantoi disa nga kolonat e programit të kësaj force politike për zonat rurale, për mandatin e ardhshëm.

Gjatë një takimi me banorë dhe fermerë të fshatit të Bishanit në komunën Novoselë, Patozi u kujtoi të pranishmëve se deri 8 vjet më parë në këtë zonë nuk ishte kryer asnjë investim dhe ajo ishte tërësisht jashtë vëmendjes së qeverisë.

"Ju jeni dëshmitarë të asaj që kemi bërë në këto vite, ndërkohë që deri 8 vjet më parë kjo zonë nuk pati asnjë investim dhe ishte jashtë vëmendjes së qeverisë", theksoi Patozi.

Prandaj dhe, sipas tij, oferta e Partisë Demokratike edhe për katër vitet e ardhshme, synon ndryshimin e mëtejshëm të këtyre zonave dhe standardizimin e tyre me investime e projekte konkrete.

Zoti Patozi theksoi se "Rama dhe Partia Socialiste janë aventurë, prandaj çdo banor i kësaj zone, çdo banor i këtij qarku, në 23 qershor do të ecë përpara, i sigurtë me Partinë Demokratike".

Më tej ai shprehu bindjen se banorët e Bishanit dhe të komunës së Novoselës do të bëhen pjesë e fitores së Partisë Demokratike në 23 qershor.

Nga ana e tij, kryetari i degës lokale të PD-së, Ardian Kollozi, evidentoi se mbështetja që po tregohet ndaj kandidatëve demokratë dhe alternativës së Partisë Demokratike e ndaj ofertës së saj, është rrjedhojë e gjithçkaje që është bërë në këto 8 vjet në këtë zonë.

Gjatë 8 viteve të fundit, në komunën e Novoselës(Vlorë), janë realizuar një sërë projektesh të rëndësishme me fondet e qeverisë. Mes tyre, përfshihen ndërtimi i sistemit të mbrojtjes në shtratin e lumit Vjosë, çka ka parandaluar përmbytjet nga dalja nga shtrati e ujrave të këtij lumi, dikur mjaft problematik.
Po ashtu, ndërtimi i autostradës Levan-Vlorë, që përshkon mespërmes fshatrat e kësaj komune, ka çelur një perspektivë të re për fermerët dhe për shkurtimin e distancave me tregun.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›