Opozita, demonstratë paqësore në Tiranë
“Zgjedhje të reja pa Saliun”. Me këtë slogan, që përmbledh gjithë qëllimin e betejës së opozitës, qytetarë të qarqeve Tiranë dhe Durrës kanë tubuar dje paqësisht në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke kërkuar largimin e qeverisë “Berisha” dhe kalimin në zgjedhje të parakohshme, si e vetmja mundësi për të dalë nga situata, në të cilën është përfshirë politika shqiptare. Për më shumë se 1 orë e 30 minuta, opozita nën drejtimin e vet kreut të saj, Edi Rama, ka marshuar në akset kryesore të Tiranës, ku janë hedhur parulla kundër qeverisë dhe është kërkuar njëkohësisht dhe zbardhja e tre vrasjeve në demonstratën e 21 Janarit.
Organizimi
Protesta e radhës e opozitës nuk ka pasur një orar të saktë të nisjes së saj. Kjo për shkak të vet mënyrës së organizimit dhe shtrirjes së saj thuajse në të gjitha rrugët kryesore të Tiranës, por duke shmangur Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Të parët që kanë mbërritur tek sheshi prapa Muzeut Kombëtar, si pika ku dhe do të bëhej bashkimi i gjithë protestuesve, kanë qenë qytetarët e njësisë numër 8 në Tiranë, që nisën marshimin nëpër Bulevardin e “Zogu i Parë”, në drejtim të Stacionit të Trenit, për t’u kthyer pastaj në aksin e ri të Unazës së Vogël dhe për t’u bashkuar tek Nëntë-katëshet me protestuesit e njësive të tjera. Ndërkohë nga Rruga e “Elbasanit” është nisur një tjetër turmë protestuesish, të drejtuar nga deputetët, Besnik Bare dhe Ilir Gjoni, të cilët pasi kanë kaluar para Kuvendit, janë drejtuar për tek Pazari i Ri nga ku janë kthyer sërish tek Nëntë-katëshet, ku janë takuar dhe me protestuesit e mbërritur thuajse në të njëjtën kohë nga Rruga e “Dibrës” dhe ata të njësisë 8. Pasi janë bashkuar të treja grupimet janë nisur drejt sheshit prapa Muzeut Kombëtar, ku ndërkohë kishin mbërritur grupet e tjera të ardhur nga njësitë tjera të Tiranës, 5, 7, 10, si dhe nga Lapraka, Kamza dhe Durrësi.
Marshimi
Rreth orës 14 e 45 minuta, turmës, tashmë të shtuar në numër, në hyrje të rrugës së “Durrësit” iu bashkua dhe kreu socialist Edi Rama, megjithëse deri dje në mesditë pritej të ishte në protestën e Vlorës. Rama shoqërohej edhe nga aleati i tij socialdemokrat Skënder Gjinushi, si dhe deputetët Namik Dokle, Blendi Klosi. E ndërsa në ato momente çdo gjë kishte shkuar sipas parashikimit, në nisje të marshimit, në etapën e fundit të tij, në rrugën e Durrësit, turma ka mundur të evitojë disa provokime që kanë ardhur nga banorët e pallateve të zonës. Një grua nga kati i katërt i një pallati, anës rrugës, ka nxjerrë në ballkon një flamur blu të PD-së, ndërsa një tjetër, në të njëjtin pallat, nuk ka nguruar aspak t’i drejtohet turmës edhe me shenja sfiduese, çka ka sjellë reagimin e menjëhershëm të protestuesve që kanë nisur të hedhin sharje kundrejt tyre. Është dashur ndërhyrja e kreut socialist, për të qetësuar turmën dhe për ta kthyer marshimin në normalitet, ndërkohë që ndërhyrja e policisë e cila e shoqëronte turmën, nuk ka qenë e nevojshme. Nuk kanë munguar edhe qytetarët të cilët megjithëse nuk janë bërë pjesë e protestës kanë përshëndetur nga ballkonet e shtëpive të tyre marshimin e opozitës, duke i dhënë kurajo atyre për të vijuar deri në fund betejën e nisur. Marshimi ka vazhduar deri tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ku për disa minuta është bllokuar pjesërisht lëvizja e makinave, çka ka sjellë kaos në trafik, ndërsa protestuesit janë ndalur për pak kohë dhe duke iu referuar pikërisht ngjarjeve të 21 Janarit, kanë hedhur parulla të tilla si “Kusarët para Drejtësisë”, “Vrasësit para drejtësisë”, “Kush i vrau shokët tanë”, “Sali dorëzo vrasësit” etj. Pas përshëndetjes së kreut socialist, turma është ndarë qetësisht.