Vlorë, Topi: Shqipëria mbi gjithçka, të punojmë për të ardhmen europiane
Vlora, qyteti simbol i pavarësisë, mban kurorën e festimeve të Ditës së Flamurit. Rrugët e qytetit janë mbushur me të rinj të ardhur nga të gjitha qytetet, të veshur me ngjyrat kuq e zi e me kostume tradicionale. Një grup të rinjsh të ardhur nga Kosova e Maqedonia së bashku me sportistët e Flamurtarit kanë shpalosur flamurin gjigant kuq e zi.
Ceremonia zyrtare ka nisur në Sheshin e Flamurit me fjalën e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili në fjalën e tij vlerësoi figurën e Ismail Qemalit, si themeluesi i parë i shtetit shqiptar e model i urtësisë dhe sakrificës.
Topi është ndalur në dy momentet kyçe të historisë së popullit shqiptar: pavarësia e Shqipërisë në 1912 dhe pavarësia e Kosovës në 2008. Sot motoja jonë duhet të jetë Shqipëria mbi gjithçka. Tani jemi dy shtete të pavarura, dy shtete me të njëjtat ndjesi dhe aspirata. Shtetet tona kanë si bazë trashëgiminë e të parëve, ndaj ne duhet të impenjohemi për të ardhmen europiane, ka thënë Topi para qytetarëve të mbledhur në Sheshin e Flamurit.
Më pas, Topi dhe kryebashkiaku Gjika kanë vizituar familjen e Abaz Mezinit, një nga themeluesit e pavarësisë. Më tej, aktiviteti në nderim të ditës së Flamurit ka vazhduar me një vizitë te Muzeu i Pavarësisë. Ndryshe nga kryeministri Berisha, Presidenti Topi ka preferuar të shmangë vizitën në varrezat e dëshmorëve.
I pyetur në lidhje me këtë nga korrespondentja e Shekullit në Vlorë, Topi është shprehur se në mënyrë institucionale, detyrimet janë përmbushur, pasi dy këshilltarë të Presidencës kanë vendosur kurora me lule në varrezat e dëshmorëve në Tiranë. / Nga Vlora, Anila Peçi
* * *
Shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të vendit festojnë sot 99-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kudo ku jetojnë shqiptarë në emigrim sot përkujtohet Dita e Flamurit e themelimit të shtetit shqiptar.
Në Tiranë, atmosfera festive është ndier që në orët e para të ditës. Ngjyrat kuq e zi kanë pushtuar rrugët, të cilat pritet të mbushen gjatë ditës me mijëra qytetarë që do tu bashkohen aktiviteteve të organizuara për këtë ditë të veçantë.