Mitrovicë, të shtëna ndaj ushtarëve të KFOR-it
Pak pas orës nëntë të ditës së sotme, KFOR-i ka mënjanuar një barrikadë në Jagnjenicë, në rrugën ndërmjet Mitrovicës e Zubin Potokut, njoftojnë mediat serbe. Ushtarë të KFOR-it gjerman e austriak larguan me mjete të blinduara autobusë e kamionë, me të cilët serbët kishin bllokuar këtë aks rrugor.
Njoftohet se KFOR-i kishte provuar ti shpërndante me gaz lotsjellës serbët e grumbulluar rreth barrikadës. Po ashtu, gjatë aksionit të KFOR-it janë dëgjuar disa të shtënash nga armë automatike, por nuk raportohet se cila palë ka qëlluar.
KFOR-i përmes megafonit bëri të ditur se ishte shtënë në komandantin e tyre dhe se ua ka tërhequr vërejtjen të tubuarve se nëse sërish shtihet mbi ta, do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë.
Mediat serbe njoftojnë se ndërkohë serbët kanë vendosur një barrikadë të re 500 metra më tutje. / Koha.net