Vlorë, burrë e grua humbin jetën nga asfiksia
Një çift nga Patosi ka humbur jetën sot përkatësisht 50 dhe 49 vjeç kanë vdekur në mënyrë aksidentale. Ngjarja tragjike ka ndodhur në lagjen 24 Maj, në një banesë private në Vlorë. Emrat e tyre janë Avni dhe Myzejen Bezani.
Çifti ndodhej në Çole të Vlorës për të kaluar fundjavën tek shtëpia e prindërve të gruas, si dhe po kujdeseshin për shtëpinë që ishte e pabanuar. Nga të dhënat e para mësohet se ata kanë vdekur si pasojë e asfiksimit nga qymyri pasi po përdorin mangallin për ngrohje. Çifti është gjetur në gjendje të asfiksuar nga djali i tyre. Policia po heton për shkaqet e ngjarjes.
Bashkëshortët kanë ardhur në shtëpinë e njerëzve të gruas, pasi kujdeseshin edhe për shtëpinë, gjatë kohës që ata kanë qenë në Itali. Ata kanë udhëtuar drejt Vlorës pasditen e djeshme, ndërsa kanë përdorur mangallin për tu ngrohur gjatë orëve të natës. Burime nga policia bëjnë me dije se ka qenë djali i tyre që I ka gjetur, i cili ka udhëtuar drejt Vlorës I shqetësuar se prindërit nuk u përgjigjeshin telefonatave. Bashkëshortët janë gjetur pa jetë, të asfiksuar nga gazrat e qymyrit që kanë përdorur për ngrohje.
Aktualisht policia ka kryer gjithë procedurat për ngjarjen. Trupat janë përcjellë në morg për tu shoqëruar më pas drejt Patosit, qytetet ku bashkëshortët jetojnë. Policia e Vlorës ka dalë me një njoftim për shtyp për ngjarjen, duke shpjeguar shkaqet aksidentale: Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në banesë nuk ka pasur persona të tjerë dhe se shkaku i vdekjes së këtyre shtetasve është asfiksia nga gazrat e qymyrit (monoksidi i karbonit) me të cilin viktimat janë ngrohur gjatë natës.
Anila Peçi