E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, ekzekutohet nga shoku i tij, ish-kampioni i bilardos

VLORE- Ekzekutohet me tre plumba në trup ishkampioni kombëtar i bilardos, Fatos Bani. 31- vjeçari është qëlluar për vdekje në makinë nga shoku i tij, Juxhin Dauti, i cili është shpallur në kërkim. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës, bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë në lagjen “Pavarësia” dhe konkretisht në afërsi të godinës së repartit të zjarrfikësve.

VRASJA
Rreth orës 19:30, efektivë të repartit të zjarrfikësve kanë dëgjuar zhurmë përplasjeje automjetesh. Menjëherë dy prej tyre kanë dalë jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur, ndërsa kanë dëgjuar një të ri që thërriste për ndihmë. Dy punonjësit zjarrfikës kanë konstatuar se i riu ishte i plagosur me armë zjarrri, ndaj e kanë dërguar urgjentisht për në Spitalin Rajonal të Vlorës. Gjatë rrugës, viktima u ka thënë atyre se quhej Fatjon Bani. Dëshmitarët e ngjarjes kanë deklaruar në polici se i riu ishte i ndërgjegjshëm kur fliste dhe se kishte humbur shumë gjak. Menjëherë, mjekët e kanë futur të plagosurin në sallën e operacionit dhe e kanë operuar për më shumë se dy orë. Sipas bluzave të bardha, Bani kishte marrë tre plumba në trup, të cilët i kishin dëmtuar edhe një arterie kryesore. Pas dy orësh operacion, mjekët kanë njoftuar se i riu nuk u mbijetoi plagëve të marra. Me të marrë informacionin, forca të shumta policore kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur kryerjen e veprimeve hetimore. Nga kryerja e hetimeve paraprake ka rezultuar se autori i krimit ishte shoku i viktimës, 22- vjeçari Juxhin Dauti, banues në lagjen “Hajro Çakëri”. Sipas hetuesve të çështjes, dy të rinjtë kanë qenë duke udhëtuar bashkë në automjetin tip “Peugeot” me targa italiane, pas stadiumit të Vlorës, dhe gjatë kësaj kohë autori i dyshuar Dauti e ka qëlluar Fatos Banin me pistoletë. Dëshmitarët e ngjarjes (zjarrfikësit) janë shprehur se nuk kanë dëgjuar asnjë krismë, ndaj dyshohet se arma e përdorur ka qenë me silenciator ose zhurma është mbytur nga distanca e afërt. Për sa i përket motivit të krimit, dyshohet se mund të ketë qenë sherr i momentit, pasi dy të rinjtë njiheshin si shokë (ishin dhe fqinjë).
VIKTIMA
31-vjeçari Fatjon Bani njihej si kampioni i bilardos në qytetin bregdetar. Ai ka fituar kampionatin kombëtar në vitin 2003, kupën e Republikës në 2006-ën, si dhe titullin kampion në shumë kampionate, si brenda dhe jashtë vendit. Gjatë kësaj kohe ai menaxhonte një lokal në afërsi të konsullatës italiane në Vlorë, së bashku me familjen.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›