E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlore, gjen vdekjen ne spital 22 vjecarja, familjaret akuzojne mjeket

Vlorë, 24 shkurt, 13:18, NOA - Një 22- vjeçare ka ndërruar jetë vetëm 12 orë pas shtrimit në spitalin e të saj në Spitalin e Vlorës.

Rajmonda Bleta ka pasur temperaturë të lartë dhe mjekët e kanë shtruar atë menjehërë, ndërsa e kanë mbajtur nën vëzhgim duke e kuruar me antibiotik e më tej serume për të stabilizuar gjendjen febrile që ajo kishte paraqitur.

Për 22 vjeçaren e lindur në Tepelenë dhe banuese në fshatin Risili të Vlorës, familjarët bëjnë me dijeni se mjekët asnjëherë nuk patën një diagnozë të saktë nga se i shkaktohej kjo temperaturë. 

Sipas bashkëshortit të saj, Ramadan Bletës, i cili i ka ndenjur pranë në spital, gjendja e saj nuk ishte e rëndë. “Ajo kishte temperaturë 37, 38, 39 gradë, - shpjegon ai, -  dhe nuk i zbriste, por nuk ishte shumë rëndë”.

“Mjekja më tha ta shtroja në spital dhe kështu bëra. Fillimisht i bënë një analginë dhe më tej e futën në serum. Analgina nuk ia ndryshoi aspak gjendjen, por nisën t’i hidhnin ilaç edhe nëpërmjet serumit dhe kështu u stabilizua disi temperatura duke filluar të bjerë. Por rreth orës 18.00 ajo pati sërish një ngritje të saj, e cila i shkoi 41 dhe mjeku i bëri një gjilpërë në damar, tek krahu. Nuk më shpjegoi çfarë ishte, por më tha se do ta qetësonte dhe do ta vinte në gjumë”, rrëfen bashkëshorti i viktimës.

Duke shtuar se pas kësaj ajo nuk reagoi më fare, madje temperatura iu ul në 36 dhe u bë shumë keq.

“Thirra mjekun, por më kot, s’më jepte shpjegim. Kështu e çuan në reanimacion dhe rreth orës 12 të natës ajo ndërroi jetë”, tha bashkëshorti.

Familjarët veshin me përgjegjësi dhe akuzojnë bluzat e bardha për vdekjen e 22 vjeçares, ndërsa shpjegojnë se ka qenë neglizhencë e tyre dhe mosdiagnostikimi i duhur i pacientes që ka çuar në vdekejn e saj.

Nga ana tjetër, kreu i spitalit rajonal të Vlorës, Luter Nuraj, ka shpjguar se është vënë menjëherë në dijeni për rastin.

“Kam bllokuar kartelën e pacientes dhe kam bërë menjëherë mbledhje me shefat e çdo reparti për të analizuar rastin. Pacientja ka ardhur me gjendje febrile, por pas një temperature mund të ketë shumë shkaqe”- tha ai.

Shtoi se pritet mjeku ligjor që të japi verdiktin mbi shkakun e vdekjes së saj, si edhe  prokuroria.

“Gjithsesi për këtë rast, -  tha ai, - është në dijeni edhe ministria e Shëndetësisë, ne presim përfundimin e autopsisë që të nxjerrim rezultatet për shkaqet e vdekjes. Diagnozë të saktë nuk ka, përveç se ka qenë i evidentueshëm një infeksion i bajameve e gjendja fembrile, pra temperatura e lartë që pacientja ka pasur. Përveç faktit që është e dhimbshme se vajza ishte vetëm 22 vjeç, është dhe e çuditshme sesi ndërroi jetë në një kohë kaq të shkurtër. Por ne do ta analizojmë me shumë kujdes këtë rast”, - përfundoi ai.

22-vjeçarja Rajmonda Bleta tashmë do t’i nënshtrohet autopsisë, prej nga pritet të dalin shkaqet reale që kanë çuar në vdekjen e saj.

Mësohet se e reja ka kryer një abort në muajin janar, por gjithsesi gjithçka do analizohet nga ekipi mjekspor, drejtuesit e spitalit dhe njëkohësisht prokuroria.

Ndërsa familjarët kërkojnë të dinë shkaqet që çuan në humbjen e vajzës së tyre që sipas tyre ka qenë neglizhencë dhe papërgjegjshmëri e mjekëve që e kanë diagnostikuar gabim Rajmonda Bletën.

o.h/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›