Rama: Të vegjlit e lexuan gabim kodin
Asambleja Kombëtare e PS-së zhvilloi punimet dje në qytetin e Elbasanit, ku diskutoi për situatën politike dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme
Situata politike në vend dhe sfidat e së ardhmes, që burojnë si detyrim nga konstatimet që bën progres-raporti i Komisionit Evropian për vitin 2008, kanë qenë në qendër të fjalës që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mbajti gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të socialistëve që, kësaj here, i mbajti punimet në qytetin e Elbasanit. Për më shumë se 40 minuta, shefi i selisë rozë u ka bërë një analizë të hollësishme zhvillimeve politike në vend, duke u ndalur kryesisht tek reforma zgjedhore, si dhe tek konstatimet që bën raporti i BE-së për ecurinë e zhvillimit të vendit gjatë vitit 2008.
Reformat
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka komentuar për herë të parë dje procesin e hartimit të kodit të ri zgjedhor, por edhe risitë që ai sjell në aspektin e garës elektorale, duke u bërë të qartë anëtarëve të asamblesë se sistemi i ri zgjedhor kërkon një angazhim dhe përkushtim më të madh të të gjithë socialistëve, që nga qendra deri në bazë. Duke iu referuar edhe vlerësimit që bën progres-raporti për rolin bashkëpunues, që PS-ja tregoi për këtë reformë, kryesocialisti nënvizoi faktin se fryma e bashkëpunimit me mazhorancën, nuk mund të interpretohet si dobësi e socialistëve, por si një nevojë për të jetësuar një angazhim, që politika shqiptare ka marrë përpara partnerëve ndërkombëtarë, për të realizuar një infrastrukturë zgjedhore konform standardeve të kërkuara. “Tani, detyra e mbetur për ta jetësuar atë ç’ka është e shkruar në letër, lidhur me procesin zgjedhor në Shqipëri, i mbetet apo është ekskluzivisht e Sali Berishës. Sali Berisha dhe qeveria e tij, tani duhet të bëjnë detyrën e tyre të shtëpisë, duke garantuar jetësimin e kësaj reforme të shkruar dhe të miratuar me një konsensus të gjerë nga parlamenti i vendit”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama. Gjithashtu, ai nuk i është shmangur as vlerësimit për hapat, në të cilat kaloi kjo reformë, duke u dhënë një përgjigje të gjithë atyre politikanëve dhe forcave politike që kanë sulmuar PS-në gjatë këtyre ditëve për kodin zgjedhor, se ky ligj garanton një proces zgjedhor të ndershëm dhe demokratik. “Sigurisht, që në këtë proces ne hasëm në një sërë vështirësish. Unë dua të shpreh këtu keqardhjen për një pjesë të këtyre vështirësive të krijuara, sipas meje, nga një lexim i gabuar. E madje, në disa raste, nga mosleximi i kodit të ri zgjedhor”, - tha Rama.
Bashkëpunimi
Duke shprehur keqardhje për qëndrimin dhe akuzat, që disa prej aleatëve të majtë bënë ndaj Partisë Socialiste, Rama ka theksuar se PS-ja do të vazhdojë rrugën e saj të përcjelljes së mesazhit të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në betejën me atë që ai e konsideron si keqqeverisje e djathtë. “Dua të shpreh keqardhjen për mungesën e etikës dhe tolerancës në raport me ne, në raport me pikëpamjet dhe rolin tonë. Dua të nënvizoj se, pavarësisht nga kjo, dhe paçka se jemi bërë, padrejtësisht, objektiv i një dyndjeje, tërësisht jo etike, tërësisht jo tolerante, me burim një mllef primitiv, ne do të vazhdojmë në rrugën tonë të vetëdijshëm se ky është roli ynë”, - theksoi Rama. Nisur pikërisht nga ky qëllim, ai u ka bërë thirrje të tijve që, pavarësisht gjuhës së hidhur që përdorin sot disa nga politikanët, kundrejt PS-së, të mos bien pre e një politike boshe. “Nuk u jemi përgjigjur dhe asnjëherë nuk do t’i përgjigjemi me të njëjtën frymë dhe me të njëjtën gjuhë këtyre sulmeve, të cilat i konsiderojmë të padenja për Evropën ku ne duam të integrojmë vendin dhe me të cilën ne jetojmë çdo ditë kur bëjmë politikën tonë të re. Mllefi nuk është filozofi! Mllefi nuk është alternativë”, - u shpreh më tej ai. Ndërkohë, pas fjalës që mbajti kryetari i partisë, asambleja vazhdoi punimet sipas rendit të paracaktuar, ku tre sekretarët, Kastriot Islami, Blendi Klosi dhe Fatmir Xhafaj, sqaruan anëtarët e asamblesë në lidhje me sfidën e organizimit elektoral.