Betohen para Presidentit dhjetë magjistratët e rinj
Betohen dhjetë magjistratët e rinj, të emëruar në gjykatat e rretheve pak kohë më parë në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Magjistratët, tashmë gjyqtarët më të rinj në sistemin gjyqësor, u betuan dje për respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë para Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në një ceremoni që u organizua për të parën herë në mjediset e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në fjalën e tij përshëndetëse me këtë rast, kreu i shtetit, njëkohësisht edhe kreu i KLD-së, deklaroi se “sistemi i drejtësisë duhet të ndahet nga ai i politikës dhe ndikimet e saj, nga të gjitha varësitë e tipit korruptiv, duke ditur të bashkëpunojë ngushtë me politikën shqiptare, me legjislativin, me të gjitha strukturat dhe hallkat e sistemit gjyqësor dhe të dijë të demonstrojë në publik se është një strukturë që i jep besim qytetarit në të gjitha hallet e tij”. Presidenti Topi e cilësoi ceremoninë e djeshme si një moment solemniteti, si dhe substancë e mentalitetit për një sistem drejtësie të mbështetur mbi standardet e shtetit ligjor. Duke folur për emërimet e reja, Topi theksoi se me dekretimin e këtyre magjistratëve të rinj, ky moment ka të bëjë me standardet në drejtësi. Më tej në fjalën e tij, z. Topi theksoi rëndësinë e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe bashkëpunimin e këtij sistemi me institucionet e shtetit, me qëllim arritjen e standardeve bashkëkohore. “Të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë për krijimin dhe fizionominë e gjyqësorit”, - tha kreu i shtetit, duke i quajtur magjistratët si gjakun e ri të pushtetit gjyqësor. Por, z. Topi nuk ka lënë pa vlerësuar edhe Shkollën e Magjistraturës që përgjatë 13 viteve të funksionimit të saj ka përgatitur shumë gjyqtarë, të cilët tashmë janë pjesë e sistemit të drejtësisë. “Një e treta e të gjithë gjyqtarëve në gjykata dhe rrethe gjyqësore kanë titullin “Magjistratë” dhe sipas standardit aktual ligjor, 90 për qind e gjyqtarëve të rinj në sistemin gjyqësor vjen nga kjo shkollë”, - u shpreh Presidenti Topi, duke shtuar se “sistemi gjyqësor po rigjenerohet”. 10 magjistratët që do të punojnë në gjykatat e rretheve të ndryshme u dekretuan para pak ditësh nga Presidenti Topi. Në ceremoninë e betimit të tyre para Presidentit të Republikës ishin dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe misioneve të huaja të asistencës për këtë sistem.