Përleshje me armë me policinë, 3 të plagosur
OPERACIONI/ Dy efektivë të policisë janë përleshur me një shtetas i cili transportonte lëndë narkotike i armatosur
SHKODËR - Ka përfunduar me përleshje me armë dhe trup me trup një operacion i drejtorisë së policisë së Shkodrës në rrethin e Malësisë së Madhe, duke sjellë plagosjen e tre personave, dy prej të cilëve efektivë policie. Operacioni i policisë është zhvilluar rreth orës 22:00 të së enjtes dhe qëllimi i tij ka qenë goditja e personave që merren me trafikimin e lëndëve narkotike, kanabis sativa.
Vendi i ngjarjes ndodhet në anën e rrugës automobilistike që lidh fshatrat Vuçaj dhe Bratosh. Efektivat e Drejtorisë së Policisë Shkodër kanë organizuar shërbime policore në aksin rrugor të fshatrave Vuçaj - Bratosh pas informacioneve të marra se shtetasi Gjergj Marvukaj (person në kërkim për "plagosje") dhe shtetasi Sabah Vuçaj transportonin lëndë narkotike të armatosur.
Për këtë shtatë efektivë policie të Shkodrës kanë organizuar shërbime të fshehta duke u pozicionuar në anë të rrugës të fshatit me qëllim kapjen e këtyre personave.
Rreth orës 22:00, përgjatë rrugës së fshatit ka kaluar një person i cili mbante në dorë një thes ngjyrë gri duke vazhduar rrugën Vuçaj - Zagorë. Dy policë e kanë ndjekur, pasi kanë dyshuar se në të ndodhej lëndë narkotike.
Teksa i janë afruar në distancë prej 2 metrash, i kanë bërë thirrje të ndalonin pasi ishin policë., por personi i lartpërmendur menjëherë u ka drejtuar një armë zjarri automatik duke qëlluar në drejtim të tyre me breshëri.
Si rrjedhojë dy policët janë përleshur me të. Por edhe kur i është marrë arma, personi ka vijuar të qëllojë me grushte e gurë, madje ka kafshuar me dhëmbë një nga punonjësit e policisë. Në këtë kohë, dy vetë të tjerë kanë qëlluar kundër policisë, duke mos iu bindur urdhrit të bluve. Pas një përleshjeje trup më trup policia ka mundur të ndalojë Sabah Vuçajn, Besnik Vuçajn e Mondi Vuçajn.
Personi i parë, Sabah Vuçaj, ishte pikërisht ai që është kapur në flagrancë me lëndën narkotike, e cila pas peshimit rezulton se është rreth 7,7 kg, si dhe një automatik me dy krëhëra me fishekë.
Ndërsa armët e kapura shtetasve Besnik Vuçaj dhe Mondi Vuçaj ishin armë zjarri automatik model 56 me një karikator me 4 (katër) fishekë. Shtetasi Sabah Vuçaj është dërguar për t'i dhënë ndihmën mjekësore duke e dërguar në spitalin rajonal Shkodër. Si rezultat i kësaj përleshjeje janë dëmtuar dhe dy punonjësit e policisë, të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore.
Për këtë ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor i prokurorisë së rrethit Shkodër, që po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Burime nga fshati Bratosh i rrethit të Malësisë së Madhe bëjnë të ditur se kanë qenë 5 furgonë policie që kanë marrë pjesë në operacion, ndërsa gjatë paradites së të premtes forca të shumta policie kanë bërë kontrolle dhe krehur gjithë zonën e Bratoshit.