E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, kapen 108 kg kanabis, në pranga dy vëllezër

Policia e Vlorës ka bërë të mundur sekuestrimin e 108 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa si dhe arrestimin e dy poseduesve të drogës.
 

Burime nga policia bëjnë me dije se gjatë operacionit të koduar “Zgjimi” janë arrestuar dy vëllezërit Androkli dhe Edlir Ibrahimaj përkatësisht 42 dhe 41 vjeç të cilët akuzohen për trafik droge.
 

Sipas policisë në banesën e Edlir Ibrahimaj janë gjetur 93 kg lëndë narkotike të vendosur në 12 thasë me ngjyrë të bardhë, ndërsa pjesa tjetër prej 15 kg është gjetur në banesën e shtetasit Androkli Ibrahimaj e vendosur në 3 thasë.

Gjithashtu policia thekson se nga kontrolli përreth banesave të këtyre shtetasve janë gjetur edhe rreth 91 fidanë bime narkotike "canabis sativa" të cilat ishin të vendosura në në gota plastike ndërsa një pjesë tjetër e mbjellë në tokë, si dhe farë bime narkotike.


Ndërkohë materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Kultivimi i bimëve Narkotike".
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›