E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabulatet e Gërdecit nisin luftën mediatike Berisha-Topi për listën e deputetëve

Gazetat e presidentit botojnë përgjimet e telefonatave të Shkëlzenit me Delijorgjin
Krerët e dy institucioneve më të mëdha të shtetit, presidenti Topi dhe kryeministri Berisha i kanë shpallur hapur luftë njëri-tjetrit, pavarësisht bindjeve politike dhe aderimit të tyre brenda të djathtës demokratike. Marrëdhëniet e ngrira mes Topit dhe Berishës janë bërë të dukshme prej kohësh, por ditët e fundit ato janë thelluar më tej. Konflikti i tyre u panë fillimisht në mënyrë të drejtpërdrejtë tek marrëdhëniet e tyre institucionale, teksa shumë ide të Berishës nuk u miratuan nga Topi. Ndërsa tashmë, skandali ka marrë edhe përmasa të mëdha mediatike, ku dy krerët janë dhënë kokë e këmbë pas mediave të konsideruara publikisht si ndihmëse e arritjes së qëllimeve të tyre. Me fillimin e fushatës elektorale, Berisha la të nënkuptohej se një pjesë e mirë e demokratëve të hershëm nuk do të përfshiheshin në listën e kandidatëve për deputetë. Kjo duket se irritoi presidentin Topi, të cilit i cënoheshin përkrahësit e tij fanatikë. Bëhet fjalë për Aleksandër Biberajn, Besnik Mustafajn, Sali Shehun, Rexhep Karapicin, Dashnor Sulën etj, të cilët Berisha i ka sulmuar haptazi politikisht, duke i skarcuar nga pozicionet që ata kishin apo dëshironin të kishin më vonë. Fillimisht, Mustafaj dha dorëheqjen e detyruar nga posti i ministrit të Jashtëm. Më pas ai u angazhua si kandidat për kreun e PD së Tiranës, por edhe këtu, Berisha shprehu hapur përkrahjen e tij për Aldo Bumçin, duke i lënë Mustafajt të nënkuptonte se nuk e dëshironte në këtë pozicion. Më tej, sulmi i Berishës kundrejt fanatikëve të Topit u shpreh edhe me deputetin Biberaj, i cili u përjashtua nga kryesia e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE, duke u zëvendësuar me Ilir Rusmailin. Nga ana tjetër, Topi ka reaguar ndaj Berishës, duke i kthyer Ligjin e Dosjeve, i cili tashmë ndodhet në Kushtetuese. Një tjetër pikë që do të ndante presidentin Topi me kryeministrin Berisha, do të ishte edhe kryeprokurorja Ina Rama. Fillimisht ajo u prit në krye të detyrës me entuziazëm nga Berisha, por gjatë punës së saj me hapjen e dosjeve korruptive të qeverisë, ngjalli pakënaqësi tek Berisha, i cili nuk hezitoi ta konsideronte  atë si të përzgjedhurën e Topit. Tashmë presidenti Topi Por këto janë vetëm disa nga reagimet transparente që kanë reflektuar dy krerët e lartë të shtetit në raportet e tyre institucionale. I gjendur në një situatë të tillë, presidenti Topi duket se e ka gjetur zgjidhjen për ti bërë ballë Berishës, duke u bërë palë me kryesocialistin Edi Rama si dhe kryeprokuroren Ina Rama. Më tej, lufta e tyre vijon me prapaskenat mediatike të pasqyruara në mediat e shkruara të secilit. Ditën e djeshme, një nga mediat përkrahëse të Topit, pasqyroi si kryeartikull telefonatat e kryera ditën e tragjedisë së Gërdecit, mes ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, drejtorit të fabrikës Alba Demil, Mihal Delijorgji dhe djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Telefonatat e kryera mes këtyre personave, tregojnë se ata ishin në ankth dhe kërkonin tek njëri-tjetri një mënyrë për të shpëtuar nga përgjegjësia. Këto telefonata janë provë e Prokurorisë  së Përgjithshme në ngjarjen e Gërdecit, të cilat vetë kryeprokurorja Rama i ruan me fanatizëm por jo për të gjitha mediat. Publikimi i tyre fakton lidhjet e Topit me këtë institucion.  Ndërkaq, në të njëjtën ditë, një tjetër gazetë, por tashmë përkrahëse e kryeministrit Berisha, u hap me bisedën telefonike të kryer mes kryesocialistit kryebashkiak Edi Rama dhe Mihal Delijorgjit, pak orë para arrestimit të këtij të fundit. Kjo tregon qartë krijimin e dy grupeve kundërshtare, të cilat në këto prag zgjedhjesh kërkojnë hapësira mediatike për të nxirë fytyrat e secilit kundërshtar.                    

***************************************
Bisedat telefonike
Edi Rama ngushëllon Mihal Delojorgjin
Në të njëjtën ditë, dy media të ndryshme publikuan tabulatet e bëra ditën që ndodhi tragjedia e Gërdecit nga qeveritarët tanë. Njëra prej tyre publikoi tabulatet mes ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Ndërsa krahu i kundërt zbardhi bisedën telefonike mes kryetarit të bashkisë, Edi Rama dhe të pandehurit tashmë, Mihal Delijorgji. Bisedë kjo e kryer pak orë se të arrestohej drejtori i Meico-s, Delijorgji. Në bisedën e tyre telefonike vihej re plani i tyre për të dalë të larë nga tragjedia e Gërdecit. Menjëherë pas shpërthimit të fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, krysocialisti Rama dhe Delijorgji nuk kanë hezituar të kontaktojnë njëri-tjetrin në telefon duke bërë plane se si të shpëtonin nga kjo situatë. Në telefon Rama ngushëllon Delijorgjin që të mos mërzitet për këtë ngjarjes, pasi një ditë ai do të bëhej kryeministër dhe do ta nxirrte nga situata. Nga ana tjetër Delijorgji i tregon kryetarit të bashkisë se të gjitha projektet dhe lejet e ndërtimit që i kishte vulosur Rama do ti marrë lumi. Por, sërish kryetari i partisë socialiste e mban me të mira në telefon, duke i deklaruar se do të bënin ca shpikje, dhe se do të kontaktonte me disa miqtë e tij që të mos arrestohej Delijorgji. Ndër të tjera, në bisedë Rama i premton se do ta ndihmonte shumë dhe nuk do ta linte vetëm, pasi kishin bërë shumë punë bashkë.

**********************************************************
Tabulatet Mediu-Delijogji-Shkëlzen Berisha
Media tjetër e shkuara ka botuar tabulatet mes ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu me Mihal Delijorgji dhe djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Vetëm pak orë pas ndodhjes së ngjarjes në Gërdec, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes ka biseduar disa herë në telefon me Shkëlzen Berishën, djalin e kryeministrit Berisha. Konkretisht, ditën e 15 marsit 2008, Mediu ka bërë mjaft telefonata me politikanë të ndryshëm dhe persona të tjerë. Gjithashtu Mediu ka biseduar disa herë me Shkëlzenin. Sipas hetimeve të prokurorisë telefonata e parë është regjistruar në orën 2.08 minuta dhe ka zgjatuar 74 sekonda. Telefonatë kjo e bëre vetëm 2 orë pas shpërthimit në Gërdec. Më pas, në orën 4.31 minuta, Mediu ka folur 37 sekonda me djalin e kryeministrit. 10 minuta më pas ka folur përsëri 32 sekonda. Herën e fundit, ata kanë biseduar për 56 sekonda në orën 5 të pasdites. Ajo që është biseduar mes tyre, ndoshta nuk do të zbardhet kurrë. Kështu ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu i ka telefonuar plot 26 herë Shkëlzen Berishës në 6-mujorin e parë të vitit 2008. Këtu nuk llogariten rastet kur vetë Shkëlzeni mund ti ketë telefonuar Mediut. Në ditën e shpërthimit të Gërdecit, ish-ministri Mediu ka folur me mjaft zyrtarë të lartë që nga kryeministri e deri tek deputetë të thjeshtë të PD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›