E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, ndërtimorët mësyjnë papritur te vilat qeveritare

Fadromat lëvizin befasisht nga Pylli i Sodës, tek Uji i Ftohtë

Edhe ditën e djeshme ka vazhduar me intensitet të plotë puna e Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit në zonën e Pyllit të Sodës, pranë qytetit të Vlorës, duke e çuar përreth dy ditë në 70 numrin e ndërtimeve të shembura.

Të ndara në tri pika të ndryshme, fadromat dhe skrepat, të shoqëruara dhe nga forca të shumta policore, kanë vijuar prishjen në ditën e dytë në Pyllin e Sodës, si dhe në bregdetin e kësaj zone. Janë rrafshuar të gjitha lokalet që ndodhen në brendësi të pyllit, por dhe ato 15 lokale që janë përgjatë bregdetit të plazhit të Zvërnecit.

Por fare befasisht dhe pa asnjë njoftim, fadromat e ndërtimorëve janë shfaqur rreth orës 14:30 në zonën e vilave qeveritare, ku në pikun e vapës e të pushuesve që frekuentojnë këtë plazh, kanë zbarkuar së bashku me skrepin, me rreth 60 forca policore dhe me efektivë të gardës, që kanë bërë të mundur prishjen e disa lokaleve të cilat ndodhen brenda murrit rrethues të një vile qeveritare. Kjo vilë, e shkatërruar gjatë vitit 1997, është duke u rikonstruktuar prej një viti me një fond prej 1 milion eurosh të vëna në dispozicion nga qeveria shqiptare.

Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit, pa ju çuar asnjë shkresë për t’i njoftuar për prishjen, ka befasuar dje duke lënë punën nga Pylli i Sodës e duke u kthyer në zonën e bregdetit, pikërisht në zonën e vilave qeveritare.

Për mediat, hyrja në ambientet e plazhit ku zhvillohej operacioni i ndërtimorëve ka qenë e pamundur, pasi zona është e rrethuar me mur aq të lartë, sa nga rruga nuk shihej asgjë se çfarë po bënin ndërtimorët.

Për të pasur kontakt me pronarët, disa gazetarë morën me qira një varkë dhe hynë në pjesën e vilave nga deti. Aksioni i shkatërrimit të ndërtimeve ndiqej nga afër nga pjesëtarë të familjes Kadëna, që pretendon pronësinë e tokës në fjalë dhe është në konflikt gjyqësor me shtetin. Ali Kadëna tha dje se disponon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për shtëpinë dhe lokalin që ka ndërtuar në këtë zonë. “Shteti po na grabit tokën me dhunë. Ne si familje kemi fituar të gjitha gjyqet me shtetin e me vilat qeveritare dhe kemi certifikatën e pronësisë, si dhe vendimet e gjyqeve që janë në favorin tonë”, tha 70-vjeçari. Banorët e zonës ku kanë qenë lokalet në zonën e vilave qeveritare janë konfrontuar fizikisht me Policinë e Shtetit, duke protestuar për prishjet e paligjshme që inspektorati ndërtimor po bën në tokat e tyre.

Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit ka realizuar dje prishjen e rreth 10 objekteve në këtë zonë, kryesisht lokale, ndërkohë që në një intervistë të dhënë ditën e djeshme nga Vlora, Gjergji Bojaxhi u shpreh se zona e bregdetit do të pastrohet nga ndërtimet pa leje, por në një fazë të dytë, pasi të mbarojë sezoni turistik, për të mos i shqetësuar pushuesit.

Por dje, pushuesit e shumtë janë tmerruar nga fadromat dhe forcat e shumta policore, që me skafandra në kokë kanë rrethuar tërë zonë e populluar të plazhit pranë vilave qeveritare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›