Vlorë, policia akuzon PS-në për tubim të jashtëligjshëm

Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë, me anë të një deklarate, bën me dije se ka nisur procedimin penal ndaj disa shtetasve, sikundër dhe deputetëve të PS-së, pasi kanë organizuar një tubim të jashtëligjshëm në “Ura e Mifolit”.
Ndërkaq, mësohet se ka filluar procedimi penal në ngarkim të shtetasve Mëno Besimi, Kryetar i Komunës Kotë, Kreshnik Tepelena, person me precedent penal, Leonard Haskaj person me precedent penal, Gramoz Cepaj person me precedent penal, Ferdinad Aligjoni dhe Pirro Sinani etj, sikurse dhe për disa prej deputetëve të Partisë Socialiste si dhe disa kryetarë të njësive të Qeverisjes Vendore në Qarkun e Vlorës.
Gjatë këtij tubimi, nga ora 12:00 deri në orën 15:00 është penguar qarkullimi i automjeteve dhe është djegur një automjet i vjetër. Materialet procedurale do ti referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale: "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme", "Prishja e qetësisë publike" si dhe "Ndotja e ajrit të kryera në kushtet e bashkëpunimit".