Tropojë, vrasja e Bardhit u krye për gjakmarrje
TROPOJË- Vrasja e Përparim Bardhit tre ditë më parë në Tropojë është kryer për gjakmarrje. Kjo është pista kryesore mbi të cilën po heton policia lokale, e cila ende nuk ka arritur që të identifikojë autorin. Hetuesit e çështjes pohuan dje se dhjetëra forca policie po kërkojnë në bjeshkët e Sulbicës dhe të Tringëllimës, por pa mundur të kapin ndonjë të dyshuar si autor i kësaj vrasje të mistershme. Ndërkohë që policia kufitare ka shtuar edhe përforcimet në kufi me Kosovën e Malin e Zi, pasi autori i vrasjes mund të kalojë kufirin për në këto dy shtete, për vetë afërsinë e tyre nga vendi i krimit. Zyrtarë të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukësit kanë pohuar se policia ka përjashtuar shumë pista dhe është përqendruar vetëm në atë të gjakmarrjes. Sipas policisë, po hetohet për një vrasje të ndodhur në vitet 90-të, e cila mund t'i jetë faturuar viktimës së 21 gushtit, apo të afërmëve të tyre. Megjithatë, policia thotë se ende është në fazën e dyshimeve, prandaj ajo nuk ka dhënë asnjë detaj për vrasjen e viteve 90-të dhe as emrin e të dyshuarit. Hetuesit kanë pohuar se kanë dyshime tek një person dhe për këtë arsye po vazhdojnë kërkimet në zonën e bjeshkëve.