E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, policia forcon kontrollin në Qafë Llogora

VLORË- Shërbimet e policisë rrugore kanë forcuar kontrollet përgjatë rrugës që përshkon Qafën e Llogorasë, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë, ku ngricat dhe akulli i krijuar si pasojë e rënies së temperaturave dhe erës së ftohtë, kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se "gjatë mëngjesit dhe paradites së sotme nuk janë lejuar automjetet të qarkullojnë pa zinxhirë, ndërkohë që janë këshilluar drejtuesit të pajisen me to, për shkak të rrezikshmërisë që sjell mungesa e tyre".

Drejtori i Ndërmarrjes Rajonale të Mirëmbajtjes së Rrugëve, Edmond Ibro, tha se "po vazhdohet të ndërhyhet në gjithë segmentin që përshkon këtë qafë, duke hedhur kripë, çka është shoqëruar me përmirësimin e kushteve të qarkullimit". Aktualisht, sipas tij, automjetet mund të qarkullojnë normalisht, por drejtuesit e tyre janë këshilluar të përdorin zinxhirët.

Punonjësit dhe mjetet e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve po qëndrojnë në terren, në gatishmëri për çdo situatë që mund të krijohet në rrugë. Pas rënies së reshjeve të dëborës pak ditë më parë, gjendja në rrugën që përshkon Qafën e Llogorasë ka qenë e vështirë, si pasojë e ngricave dhe akullit të krijuar nga ujërat që rrjedhin mbi rrugë. Kjo ka bërë që drejtuesit e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve të aplikojnë masa të forta për të garantuar sigurinë në qarkullimin e automjeteve.

Kjo situatë pason atë të krijuar në fundin e muajit dhjetor, kur gjatë katër ditëve qarkullimi në rrugën që përshkon Qafën e Llogorasë, u vështirësua në një segment prej rreth 10 km, si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës dhe e ngricave të krijuara nga temperaturat e ulëta dhe era e ftohtë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›