E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, pranga të shumëkërkuarit në Itali, u arratis nga burgu

 Në pranga ra shtetasi Leonard Myrtaj, 34-vjeç, banues në fshatin Trevllazër në Vlorë.

“Ky shtetas me rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe i njohur për lidhjet e tij me Dritan Rxhepaj ishte shpallur në kërkim nga INTERPOL pasi Gjykata Penale e Firences e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 16 vjet, 11 muaj dhe 2 ditë burg për veprat penale “Posedim dhe shpërndarje lëndësh narkotike”, “Vjedhje”, “Rrëmbim personi”, “Ushtrim dhune kundër personave të tjerë, “Përdorim i dokumenteve të falsifikuara” dhe “Hyrje e paligjshme në territorin Italian’”, bën me dije Policia e Vlorës.

Shtetasi Myrtaj në bashkëpunim me dy persona të tjerë, në 3 Tetor 2001 ka  poseduar dhe shitur lëndë narkotikë, po në bashkëpunim me persona të tjerë në 11 Prill 2003 në Firenze ka vjedhur një automjet duke dhunuar pronarin e tij.

Ndërkohë, gjatë periudhës 17 dhe 18 Janar 2008 në bashkëpunim me dy persona të tjerë ka marrë peng një biznesmen Italian të cilin e ka keqtrajtuar dhe kërcënuar dhe më pas e ka lënë të lirë pasi ka marrë shumën prej 12 mijë euro nga familjarët e tij, si dhe një sërë veprash penale të tjera.  Pasi është dënuar dhe ka qenë duke vuajtur dënimin ky shtetas së bashku me dy persona të tjerë, Dritan Rexhepi 31-vjeç,  dhe Ylli Ndoi 34-vjeç, të dënuar për vepra të rënda penale janë arratisur nga burgu i Vogeras, në Pavia Itali.

Nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë është ngritur një grup hetimor i cili po heton në lidhje me veprimtarinë kriminale të këtij personi edhe brenda territorit të Shqipërisë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për procedurat e mëtejshme për ekstradimin e tij në Itali. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-04-25 11:33
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›