Vlorë, protesta për pronën, shoqërohen 4 persona në polici
Edhe në ditët e pushim për festën e Pashkës, Banorë të lagjes së Ujit të Ftohtë në Vlorë kanë protestuar për rrëmbimin e tokës që po u bëhet. Ata janë përleshur dje me disa ushtarë të Gardës ngjarje kjo e cila ka përfunduar me 4 prej tyre të shoqëruar në komisariatin e policisë ku dhe do të qëndrojnë aty derisa të shprehet për ta gjykata.
Gjithçka ka ndodhur paraditen e djeshme kur dhjetëra banorë të kësaj lagjeje kanë filluar të protestojnë lidhur me rrëmbimin e tokës që po u bëhet atyre nga drejtoria e vilave në këtë qytet që mbrohet prej ushtarëve të gardës. Acarimi i banorëve është bërë evident prej kohësh, por dje ai i ka kaluar kufijtë e debateve dhe protestave paqësore teksa banorët janë konfliktuar me ushtarët e gardës. Në këtë kushte kanë ndërhyrë uniformat blu të drejtorisë së policisë që kanë shoqëruar në dhomat e paraburgimit 4 prej protestuesve. Sipas vetë drejtuesve të kësaj drejtorie ata do të dalin prej aty vetëm pasi për ta të shprehet gjykata e shkallës së parë. Në Vlorë ka kohë që vazhdojnë protesta të ndryshme lidhur me pronat dhe vetëm dy ditë më parë ishin punëtorët dhe banorët e qytetit të Orikumit që po për pronat bllokuan urën hyrëse të qytetit dhe kanë kërcënuar me grevë urie e mosmarrje pjesë në votime nëse do të vazhdohet që të mos u jepet certifikata e pronësisë.