E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj: Përplasjet politike rrezikojnë liberalizimin e vizave

Kryetari i Komisionit të jashtëm, Preç Zogaj shtyrjen e zgjedhjeve e ka cilësuar një dëm të jashtëzakonshëm për vendin tonë dhe sipas tij shtyrja nuk duhet të ndodhë kurrsesi, por forcat politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të gjejnë zgjidhje për çështjen e kartave. Gjatë një prononcimi mediatik ai ka veçuar ndër të tjera se përplasjet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë por dhe jashtë tij, mund të frenojë procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian. Sipas tij, pavarësisht deklaratave optimiste të ministrit të Jashtëm italian Franko Fratini, përplasjet për kartat e identitetit dhe impakti që mund të kenë në datën e zgjedhjeve, rrezikojnë seriozisht tërë procesin me vizat. Do të ishte një lojë e rrezikshme me interesat e vendit, shtyrja pa arsye sepse mund të ndodhin ngjarje të jashtëzakonshme dhe janë parashikuar rastet kur mund të shtyhen zgjedhjet. Por, të shtyhen zgjedhjet për teka, kjo është një gjë e paimagjinueshme, deklaroi Zogaj. Zgjedhjet sipas tij, do të jenë testi që do të mundë skepticizmin e BE për të përafruar datën kur shqiptarët do të mund të lëvizin të lirë në union. Kemi përpara një test tjetër, që janë zgjedhjet e 28 qershorit, ato do të jenë vendimtare për të mundur skepticizmin e ndonjë vendi të BE, që shprehet me rezerva, vijoi Zogaj. Ndërkohë, Fratini përcaktoi dhjetorin e 2009, si afatin me të afërt për liberalizimin e vizave me unionin. Sipas Zogajt, ministri i Jashtëm italian do të jetë një avokat i mirë për të bërë të mundur që data e dhënë prej tij të pranohet nga i tërë Bashkimi Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›