Ndërtuesit: Qeveria të rivlerësojë kontratat e rrugëve
Bumçi: Kontratat për ndërtimin e rrugëve nuk mund të realizohen me çmimet e një viti më parë
“Nëse nuk do të ketë një rivlerësim të kontratave atëherë kompanitë e infrastrukturës nuk do jenë në gjendje të plotësojmë detyrimet kontraktuale”, tha Shkëlqim Bumçi, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve.
Kontratat që janë lidhur midis qeverisë shqiptare dhe ndërtuesve në vitin 2007 nuk mund që të realizohen. Deklarata ka ardhur nga ana e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë. Me anë të një letre drejtuar Ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashi, ndërtuesit kanë kërkuar që të rishikohen kontrata dhe të sillet një përgjigje për kompanitë deri në datën 5 Korrik. “Nëse nuk do të ketë një rivlerësim të kontratave atëherë kompanitë e infrastrukturës nuk do jenë në gjendje të plotësojmë detyrimet kontraktuale”,- tha Shkëlqim Bumçi, kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve. Sipas Shoqatës, kompanitë e ndërtimit në infrastrukturë i janë përgjigjur planit të qeverisë, që rriti investimet këtë vit në sektorin e rrugëve. “Në të gjitha segmentet e tenderuara, kompanitë po punojnë intensivisht për realizimin e këtyre investimeve. Ndërkohë, përveç mobilizimit të firmave të ndërtimit kërkojmë edhe mbështetjen e gjithanshme të pushtetit vendor, Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Ministrisë dhe Qeverisë, për zgjidhjen e problemeve të shumta që kanë dalë gjatë zbatimit që nga shpronësimet, ndryshimet në projekt, spostimi i linjave elektrike ekzistuese, etj.”,- tha Bumçi. Sipas ndërtuesve një ndër problemet më shqetësuese për ecurinë e punimeve, por dhe një faktor për përfundimin e rrugëve të nisura, është rritja e madhe e çmimeve të naftës, bitumit, çimentos, hekurit, etj., nga 21% deri 110 %, që nga fundi i vitit. Më konkretisht: nafta, nga 108 lekë, shitet me 135.8 lekë; hekuri, nga 420 euro-ton, shitet me 820 e/t prodhimi i vendit dhe 920 e/t importi, këto pa TVSH; bitumi, nga 31 lekë/kg është 43.75 lekë/kg; çimento, nga 83.3 lekë/kg është shitur me 87.5 lekë/kg. “Kjo ka efekte të padiskutueshme në uljen e ritmeve të ndërtimit, deri në ndërprerje, paaftësi paguese e lartë, vështirësi në realizimin e grafikëve të punimeve. Ky është një problem që e kanë të gjitha firmat e ndërtimit, por rëndon më shumë në firmat e infrastrukturës që punojnë në bazë të kontratave me shtetin. “Shqetësimi është i madh, sidomos për të gjithë firmat e infrastrukturës që kanë lidhur kontratat vitin e kaluar, për shkak se kjo rritje e jashtëzakonshme çmimesh nuk mund të përballohen dot nga kompanitë, prandaj është e domosdoshme të bëhet indeksimi i çmimeve për kontratat që janë lidhur”,- tha Bumçi.