Shkarkim gjyqtarëve që falën Delijorgjin
KLD: Shkeljet e Gjykatës së Apelit në Durrës, që i dhanë pafajësi Delijorgjit në dhjetor 2007
TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë kërkon shkarkimin e tre gjyqtarëve ushtarakë të Apelit të Durrësit, të cilët në dhjetor të vitit 2007 shpallën të pafajshëm Mihal Delijorgjin për kontrabandën e skrapit.Zyra për shtyp e KLD-së njoftoi dje se ka përfunduar raporti i inspektimit mbi çështjen “Delijorgji” në Gjykatën e Apelit Durrës, duke nxjerrë si konkluzion përfundimtar një sërë shkeljesh nga tre gjyqtarët e çështjes. Relacioni përfundimtar i është dërguar ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, duke i kërkuar njëkohësisht vlerësimin e këtij raporti përfundimtar dhe fillimin e një procedimi disiplinor ndaj tre gjyqtarëve të Apelit Ushtarak: Shaqir Gradica, Ylli Minka e Naun Pejo. Me anë të këtij vendimi, gjyqtarët ushtarakë i kanë falur Delijorgjit 1.2 milionë dollarë në dëm të buxhetit të shtetit, duke i dhënë atij pafajësinë për akuzën e kontrabandës.
***
“Nga inspektimi i kryer mbi procedimin penal në ngarkim të shtetasit Mihal Delijorgji, inspektorati i KLD-së ka arritur në përfundimin se janë kryer një sërë shkeljesh të ligjit procedural penal, të kryer nga gjyqtarët e trupit gjykues. Pas këtij kontrolli janë cilësuar shkelje marrja në shqyrtim e padisë civile, pa pasur ankimim prej palës së paditur në procesin penal; përfshirja në dosje gjyqësore të disa provave të pretenduara nga avokati mbrojtës, pa marrë vendim të ndërmjetëm dhe vendimin e Gjykatës së Apelit për padinë civile, në procesin penal kundër Delijorgjit. “Kur jepet vendim pafajësie, për shkak se fakti nuk parashikohet si vepër penale ose kur vendoset pushimi i çështjes penale, padia civile lihet e pashqyrtuar”,-thuhet në njoftimin e zyrës së nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Tre gjyqtarët Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejokanë qenë në trupin gjykues që gjykonte akuzën ekontrabandës me mallra të tjerë, të ngritur kundër Mihal Delijorgjit. Vendimi i pafajësisë është dhënë më 17 dhjetor të vitit 2007, vetëm pak ditë para se Delijorgji të nënshkruante kontratën e dytë për Gërdecin me Ministrinë e Mbrojtjes.
***
Hetimi dhe gjykimi i Mihal Delijorgjit për kontrabandë në importin e skrapit ka kaluar nëpër shumë shkallë të gjyqësorit. Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur me 28 dhjetor 2006 që Delijorgji të dënohet me 10 milionë lekë gjobë, për akuzën e kontrabandës. Ndërsa për akuzën e “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” është deklaruar i pafajshëm, me argumentin se “fakti nuk përbën vepër penale më vete”. Pjesë e kësaj vendimmarrjeje nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës ka qenë edhe pranimi i padisë civile të ngritur në proces penal, nga Dega e Doganës Durrës ndaj Shoqërisë Tregtare “Përparimi” sh.a, me president Mihal Delijorgjin, kompania e të cilit ishte e detyruar nga gjykata t’i paguante shtetit dëmin prej më shumë se 122 milionë lekë. Tjetër vendim kanë dhënë tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në Durrës, të deleguar për gjykimin e kësaj çështjeje. Pas shqyrtimit të këtij ankimimi, tre gjyqtarët e ushtarakë, për llogari të Gjykatës së Apelit Durrës kanë rrëzuar akuzën ndaj Delijorgjit, duke e shpallur atë të pafajshëm. Sipas vendimit të datës 17 dhjetor 2007, është prishur vendimi i Gjykatës së Rrethit Durrës mbi deklarimin fajtor dhe dënimin e të pandehurit për veprën penale të “Kontrabandës me mallra të tjera”, duke u vendosur pushimi i çështjes, me argumentimin se nuk provohen elementët e veprës penale. Në të njëjtën kohë, Gjykata e Apelit është shprehur edhe për rrëzimin e padisë civile në procesin penal, duke e nxjerrë “të larë” Delijorgjin në historinë e kontrabandës së skrapit.
SHKELJET E GJYQTARËVE
1. Marrja në shqyrtim e padisë civile, pa patur ankim prej palës së paditur në procesin penal
2. Përfshirja në dosje gjyqësore të disa provave të pretenduara nga avokati mbrojtës, pa marrë vendim të ndërmjetëm për përsëritjen tërësisht apo pjesërisht të hetimit gjyqësor, në kundërshtim me nenin 427/1 të Kpdot të Procedurës Penale
3. Gjykata e Apelit nuk duhet të ishte shprehur për padinë civile në procesin penal, pavarësisht nëse kishim ankim apo jo, në respektim tënenit 68/2, të K.Pr.Penale sipas të cilit: “Kur jepet vendim pafajësie, për shkak se fakti nuk parashikohet si vepër penale ose kur vendoset pushimi i çështjes penale, padia civile lihet e pashqyrtuar”
Prokuroria dhe Doganat bënë rekurs në Gjykatën e Lartë për gjobën 1.2 milionë dollarë
Kontrabanda, Delijorgji në Gjykatë të Lartë
TIRANË- Nëse sistemi i drejtësisë do të kishte funksionuar, Mihal Delijorgji nuk do ta kishte të lehtë të bashkëpunonte me Ministrinë e Mbrojtjes, në një projekt tragjik si ai i Gërdecit. Vendimi i pafajësisë së tij nga Gjykata e Apelit të Durrësit është dhënë me 17 dhjetor 2007, vetëm pak ditë para se Delijorgji të firmoste “de fakto” kontratën e dytë për demontimin e municioneve në ish-repartin e tankeve në Gërdec.Vendimi i tre gjyqtarëve ushtarakë jo vetëm që i fali Mihal Delijorgjit 1.2 milion dollarë gjobë, por i lehtësoi atij punën për të siguruar fitim të shpejtë, pa i hyrë “gjemb ndër këmbë”. Megjithatë, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, bëri me dije dje se gjyqi i Delijorgjit për kontrabandën ende vazhdon. “Çështja penale aktualisht ndodhet në kryesekretarinë e Gjykatës së Lartë, në pritje të shqyrtimit të rekursit të bërë nga organi i akuzës, Avokaturës së Shtetit dhe të Drejtorisë së Përgjithshme e Doganave”,- mësohet nga zyra e shtypit të KLD-së.Pas rrëzimit të akuzës në Gjykatën e Apelit të Durrësit, drejtoria e Doganave, prokuroria dhe Avokatura e Shtetit e kanë çuar çështjen në Gjykatën e Lartë, ku pritet të merret një tjetër vendim për Mihal Delijorgjin. Ky i fundit ndodhet në paraburgim, i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. F.V
Gjykata e Apelit të Durrësit pranoi si të mirëqenë alibinë e Delijorgjit, duke rrëzuar akuzën e kontrabandës
Manovra me skrapin që i dha pafajësinë Delijorgjit
TIRANË- Ka mjaftuar një “manovër” me skrapin, për t’i dhënë pafajësinë Mihal Delijorgjit, më 17 dhjetor të vitit 2007. Për të rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit të Durrësit ka marrë si të mirëqëna pretendimet e të pandehurit Delijorgji dhe të avokatit të tij, se hekurin e kishte futur në Shqipëri për të kompensuar skrapin. Për të realizuar këtë alibi, Mihal Delijorgji ka bërë një marrëveshje me një shoqëri greke, “Felmond Trading”, pretendim ky që është cilësuar si provë nga Gjykata e Apelit të Durrësit.
Pjesë nga vendimi i Gjykatës së Apelit
Në vendimin e saj, Gjykata e Shkallës së Parë, jo vetëm që nuk ka vlerësuar pretendimet e të pandehurit dhe mbrojtjes së tij, por as që ka marrë në konsideratë provat e paraqitura nga ana e tyre për t’i ballafaquar me provat e akuzës, të cilat do ta çonin në një konkluzion të drejtë gjykatën për kryerjen ose jo të veprës penale për të cilën është dënuar. I pandehuri Mihal Delijorgji, pasi kishte hyrë në lidhje me shoqërinë “Felmond Trading” me qendër në Greqi, se e kishte gati hekurin për kompensim të skrapit, i kërkon këtij të fundit të dërgojë një anije për ta tërhequr mallin nga Italia, mall i cili pasi tërhiqet nga i pandehuri në rrugë private, arrin në portin e Durrësit, ku deklarohet nga i pandehuri se ky hekur kishte ardhur për llogari të kompensimit të skrapit. Në vendimin nr.46, datë 31.03.2004 të degës së doganës Durrës, është vendosur që të anulohet deklarata doganore e të pandehuri, pasi malli i importuar nuk ishte produkt i kompensimit të skrapit, duke e detyruar të pandehurin të paguajë tarifën doganore, TVSH-në dhe gjobën për këtë deklarim, vlerën e të cilave i pandehuri e ka paguar, ku ky mall është trajtuar në qarkullimin civil si hekur për ndërtim nga ana e të pandehurit. Në këto rrethana, shteti nuk ka pësuar asnjë dëm për hekurin e importuar nga ana e të pandehurit dhe vetë dega e Drejtorisë së Doganave Durrës e ka konsideruar veprën e të pandehurit si kundërvajtje administrative.
Në këto rrethana, mungon ana subjektive e kryerjes së veprës penale, pasi i pandehuri ka qenë në mirëbesim se malli po i vjen si kompensim të skrapit. Prandaj, edhe kjo akuzë në ngarkim të të pandehurit duhet të pushohet për mungesë të elementëve të veprës penale, atë të kontrabandës me mallra të tjerë.
Konkluzionet e Shkallës së Parë
Shoqëria “Përparimi sh.a”, me president Mihal Delijorgjin ka importuar një sasie hekuri për ndërtim, ndërkohë që nëpërmjet 26 deklaratave doganore të viteve 1999-2000 është deklaruar lëndë e parë për prodhim gozhde apo llamarine. Veç akuzës së ngritur nga prokuroria mbi të njëjtën bazë, dega e Doganës Durrës, në cilësinë e paditësit civil ka ngritur një padi civile në procesin penal, duke kërkuar nga ana e paditur, shoqëria “Përparimi” sh.a shpërblimin e dëmit për këtë shkak në shumën e përgjithshme 122.668.851 lekë. Kryerja e veprës penale të “Kontrabandë me mallra të tjerë” për të cilën akuzohet i pandehuri Mihal Delijorgji, lidhur me episodin e lartpërmendur, të importimit të hekurit për ndërtim, por të deklaruar lëndë të parë për prodhim gozhde, llamarine etj, nëpërmjet 26 deklaratave doganore, të viteve 1999-2000, është zbuluar sipas akuzës dhe paditësit civil si rezultat i një kontrolli aposteriori të praktikave doganore përkatëse të sekuestruara dhe të administruara në këtë gjykim.
DELIJORGJI
Deklarata e rreme për skrapin nga Italia
Sipas organit të akuzës, mbi bazën e dyshimeve ka rezultuar se një sasi malli e importuar nga Delijorgji nuk është marrë në Qipro, por në Itali dhe se çmimi i paraqitur ishte i rremë. Për këtë arsye ishte bashkëpunuar me misionin e asistencës doganore CAM ALBANIA. Më konkretisht, malli i importuar, hekuri është prodhim italian, prodhuar në Ossoppo Udine , nga firma “Fierre Nord SPA” dhe i është shitur firmës greke “Mitilineos Holing sa”, me çmim prej 679.191 euro. Sasia e hekurit është importuar nëpërmjet anijes Eldore nga porti Molfeta në Itali, në portin e Durrësit, me datë 17.05.2003, që provon importon nga Italia. Gjykata bindet se i pandehuri Mihal Delijorgji, nëpërmjet deklarimit të rremë të cilësinë dhe origjinës së mallit ka konsumuar plotësisht elementet e figurës së veprës penale të “kontrabandës me mallra të tjerë”. Nga ballafaqimi u dokumentacionit të CAM-Albanias dhe atij të paraqitur nga u pandehuri rezultoi se për të njëjtën sasi çmimi ishte 577.921 euro në Itali dhe 272.174.30 dollarë në Shqipëri.