E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, sulmohet me thikë mjeku

Një mjek neurolog është
sulmuar dje me thikë në
qendër të qytetit të
Vlorës dhe ndodhet në spital në
rrezik serioz për jetën. Ngjarja e
rëndë ka ndodhur dje rreth orës
17.35, kur mjeku Kosta Koçi kishte
dalë nga klinika e tij private për
të shkuar në banesën e një pacienti.
Sipas burimeve policore,
ngjarja ka ndodhur në pak minuta
dhe ka qenë e vështirë për personat
përreth kësaj zone të dallojnë
autorin e krimit. Sipas policisë,
e cila u referohet të dhënave
nga të afërm të mjekut Koçi, ky i
fundit ka ndalur përpara poliklinikës
qendrore të qytetit për të
takuar agresorin, i cili me sa duket
e ka prerë në besë. Pasi e ka qëlluar
disa herë me thikë, ai është
larguar nga vendngjarja. Mjeku
neurolog është qëlluar me thikë
në grykë dhe në disa pjesë të
ndryshme të trupit dhe për pasojë
rrezikon jetën.
Një bashkëpunëtor i neurologut
të njohur në Vlorë tha se ai
kishte dalë nga klinika private, që
ndodhet shumë pranë ambulancës
qendrore të qytetit, pasi një
paciente kishte kërkuar që ta
bënte vizitën në shtëpi. Por rruga
e Koçit ka devijuar. Ai nuk i është
drejtuar makinës së tij, por ka
ndaluar dhe është takuar me një
person. Pasi ka folur me këtë person,
i cili mbetet ende pa identitet,
mjeku është goditur prej tij
me një thikë në grykë dhe autori i
plagosjes është larguar me shpejtësi
nga vendngjarja në brendësi
të lagjes.
Neurologu 65-vjeçar është
çuar menjëherë në spital nga
kolegët e tij të ambulancës qendrore
dhe pas mbërritjes në spital
është futur menjëherë në
sallën e operacionit. Mjekët
shprehen mjaft pesimist për
jetën e mjekut neurolog, i cili ka
humbur sasi të konsiderueshme
gjaku, por njëkohësisht ka marrë
edhe plagë të rëndë në qafë nga
prerja e thellë e thikës.
Policia ka mbërritur në vendngjarje
duke kryer ekspertizat ligjore,
ndërsa ka evidentuar edhe
dëshmitarë që kanë parë ngjarjen,
të cilët janë marrë në pyetje. Deri
në mbrëmje vonë nuk ka pasur një
pistë konkrete nga ana e policisë
për rrethanat e ngjarjes, ndërsa
hetimet intensive kanë vijuar gjatë
gjithë natës. Ndërkohë, burimet
spitalore bëjnë të ditur se mjeku
është në rrezik për jetën.
Mendohet se një nga shkaqet
që mund të ketë çuar në plagosjen
e neurologut është ndonjë pakënaqësi
e ndonjë pacienti. Nuk
përjashtohet mundësia që autori
i plagosjes të jetë ndonjë person
me probleme mendore, pjesë e
pacientëve të tij. Ndaj policia nuk
ka përjashtuar asnjë pistë hetimi,
për të zbardhur ngjarjen.
Deri në orët e vona të natës së
djeshme nuk ka pasur asnjë të shoqëruar
si të dyshuar për ngjarjen,
ndërsa shpresa e policisë mbeten
dëshmitë e personave që ndodheshin
në vendngjarje në momentin
e sulmit. Ndërkohë, policia
shpreson se vetëm mjeku do të
mund ta zbardhë krejt të vërtetën
kur të dalë nga gjendja e shokut. Ky
është rasti i parë që një mjek në
qytetin e Vlorës sulmohet fizikisht.

Nuraj: Shpresojmë se do të mbijetojë

Sipas drejtorit të spitalit të
Vlorës, Luter Nuraj, situata e
mjekut të njohur Kosta Koçi është
e rëndë. "Ne kemi bërë ndërhyrje
në pjesë të ndryshme të trupit, pasi
mjeku është përballur, pra ka bërë
përleshje trup me trup me agresorin,
i cili akoma nuk po identifikohet
nga policia", tha Nuraj. Sipas tij,
agresori e ka goditur disa herë në
trup me thikë dhe ka qenë lëvizja
dhe shkathtësia e mjekut që thika
e ka zënë në disa vende të ndryshme
e jo në ato jetike. "Ai ka marrë
dy goditje në dorë, disa në trup,
që janë më të vogla dhe më e rrezikshmja
është plaga në pjesën e
qafës, por nga ndërhyrja që është
bërë, mendojmë ta kemi nxjerrë
disi nga rreziku për jetën", tha
Nuraj, i cili shton se mjeku i plagosur
ka filluar të reagojë në urinim,
si dhe pulsin e zemrën i ka në
parametrat normalë. "I kemi dhe
disa flakonë me gjak, pasi ia kishte
humbur shumë dhe presim që të
vijë në jetë, pasi është në gjendje
shoku", thotë drejtori. Ndërkohë
mësohet se nga Ministria e Shëndetësisë
është ofruar gjithçka që do
të jetë e nevojshme, përfshirë edhe
transportin me helikopter drejt Tiranës,
nëse do të jetë e nevojshme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›