E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdesi për të moshuarit, detyrim social i përhershëm…

Kujdesi social për të moshuarit nuk është kurrë
i tepërt. Madje ai është një detyrë organike, ob
ligative e familjes, shoqërisë dhe e shtetit. Në
kohën tonë është edhe një tregues i rëndësishëm i
modernitetit të shoqërisë, një nga standardet e
qytetërimit. Nevojat për kujdes social për të moshuarit
janë gjithnjë në rritje dhe kjo është një nga sfidat
tona, të familjes, të politikave shtetërore të përkujdesit
social dhe të komunitetit të tyre për të krijuar sa më
shumë kushte e mundësi sociale, që ata të jetojnë me
dinjitet moshën e pleqërisë, e cila nuk është moshë e
tepërt e tyre dhe barrë për familjen e shoqërinë, por
pjesë integrale e jetës së njeriut dhe e detyrimit social
të shoqërisë.
Edhe ne jemi përballë sfidës së shtimit të kapaciteteve
të përkujdesit për të moshuarit, sepse edhe
shoqëria shqiptare është duke përjetuar problemin
e natyrshëm të "plakjes" së shoqërisë dhe të shtimit
të nevojave për kujdes social ekstrafamiljar, si pjesë e
detyrimit për të treguar kujdes për shtresat në nevojë.
Dihet që dy janë kategoritë që e obligojnë më shumë
familjen, shtetin dhe shoqërinë për kujdes social sui
generis: fëmijët dhe të moshuarit. Të dy për shkak të
moshës: fëmijët se janë të vegjël dhe kanë nevojë për
kujdes, ndërsa të moshuarit sepse janë në moshën e
pleqërisë dhe përsëri kanë nevojë për kujdesin e
pjesëtarëve të familjes, shtetit dhe komunitetit. Sfida
globale e mijëvjeçarit, Deklarata e Madridit për
"moshimin" dhe politikat sociale të qeverisë për
kujdesin ndaj tyre na detyrojnë që për ta të kemi më
shumë kujdes, vëmendje sociale dhe krijim kushtesh
sa më optimal për një pleqërim dinjitoz, sidomos të
atyre që në këtë periudhë të moshës janë në nevojë.
Politikat e qeverisë, strategjia e përkujdesit social
të Ministrisë së Punës Çështjeve Sociale dhe
Shanseve të Barabarta kanë vënë para strukturave
të shërbimit social publik, privat dhe joqeveritar
sfidën e përballimit dhe zbutjes së problemeve sociale
e shëndetësore që përjetojnë të moshuarit në
nevojë, rritjen e cilësisë së shërbimit në institucionet
rezidenciale specifike që trajtojnë të moshuarit, modernizimin
dhe ndryshimin e kushteve të jetës,
përmirësimin e cilësisë së standardeve të shërbimit,
trajtimin e tyre në kushte sa më optimal dhe të ngjashme
me ato të familjes biologjike etj. Në politikat e
shtetit dhe punën e Shërbimit Social Shtetëror ka
qenë prioritare zgjerimi i rrjetit të institucioneve dhe
shtimi i kapaciteteve të shërbimit për të moshuarit në
nevojë. Në këtë kontekst ka një rritje të dukshme në
zgjerimin e numrit të institucioneve të përkujdesit.
Tashmë mund të themi se sistemi i përkujdesit
social për të moshuarit nuk është më i bazuar vetëm
në kujdesin që tregojnë institucionet publike, por
edhe ato private dhe sidomos është rritur forca sociale
komplementare e shoqërisë civile. Krahas shtëpive
të të moshuarve në Tiranë, Kavajë, Shkodër,
Fier dhe Gjirokastër kanë filluar të ngrihen institucione
dhe qendra komunitare të përkujdesit edhe nga
pushtetet vendore në Vlorë, Shkodër, Tiranë, Delvinë
etj. Filozofia e shërbimit për të moshuarit, tani edhe
nga pikëpamja strategjike dhe operacionale, po bazohet
në platformën e decentralizimit dhe deinstitucionalizimit,
që kërkon të përqendrojmë vëmendjen
në radhë të parë te zgjerimi i rrjetit të shërbimit ditor,
duke mos i larguar të moshuarit nga shtëpia për në
rezidencën sociale. Shërbimi social rezidencial për të
moshuarit sado modern që të jetë, nuk është kurrë i
përshtatshëm në krahasim me qëndrimin e tij në
shtëpinë biologjike.
Në këtë kontekst ne jemi para sfidës së përballimit
të shtimit të "qendrave ditore", në të cilat të moshuarit
përfitojnë kujdes, janë afër shtëpisë së tyre dhe
qëndrojnë jo të veçuar, por të socializuar me njëritjetrin
në komunitetin e tyre moshor. Sapo u mbyll
projekti 5-vjeçar i Bankës Botërore "Shpërndarja e
shërbimit social në komunitet", i cili krijoi konceptin
dhe infrastrukturën e shërbimeve komunitare në një
pjesë të madhe të territorit të vendit. Tani, ky proces
deinstitucionalizimi i shërbimit për të moshuarit është
në një etapë të re të veprimit dhe zgjidhjes së problemit,
nën kujdesin dhe përgjegjësinë e pushtetit
vendor. Ajo që po ndryshon është rritja e kapaciteteve
të shërbimit nga ana e shoqërisë civile edhe për këtë
kategori sociale. Nuk mund të jetë i mjaftueshëm ky
shërbim vetëm me 350 vendet që kanë institucionet
rezidenciale për të moshuarit. Tani ka një politikë liberale,
nxitëse dhe favorizuese për të gjithë aktorët
socialë të shoqërisë civile që kanë kapacitete, që janë
të licencuar dhe që respektojnë standardet kombëtare
të shërbimit social, që të ngrenë shërbim
social në të gjithë vendin, aty ku janë nevojat, në
bashkëpunim me pushtetin vendor. Kjo është e reja
që ka sjellë shërbimi për të moshuarit kohët e fundit
dhe që me siguri do të ketë impakte të gjëra të zgjerimit
të përkujdesit për ta.
Tani ka një qëndrim të ri, një bindje sociale dhe
profesionale konsensuale lidhur me modalitetet,
mënyrat dhe standardet e përkujdesit shoqëror për
të moshuarit. Qeveria, MPÇSSHB, pushteti vendor
dhe aktorët socialë të shoqërisë civile janë të vendosur
të ecin sipas konceptit modern të përballimit sasior
dhe cilësor të kërkesave dhe nevojave të të
moshuarve, që për shkaqe të ndryshme mbeten të
vetmuar, pa përkrahje, apo që braktisen në këtë
"moshë delikate" nuk mund të zgjidhet me kujdes
social të "centralizuar" dhe me institucione të përqendruara
në duart e shtetit qendror. Ndaj ne jemi tashmë
në një moment të ri të shërbimit për të moshuarit.
Kemi përballuar dhe përfunduar sfidën e decentralizimit
të shërbimit për të moshuarit, duke i kaluar
shtëpitë e të moshuarve të Kavajës, Shkodrës, Fierit
dhe Gjirokastrës në varësi të pushtetit vendor.
Ky proces është tejet pozitiv, sepse rrit përgjegjësinë
e pushtetit vendor për të moshuarit, zgjeron
mundësinë e rritjes së kujdesit, cilësisë dhe kapaciteteve
të shërbimit. Por jo vetëm kaq, por në këtë
mënyrë është bërë realitet standardi kryesor i shërbimit
modern që të afrojmë "njeriun në nevojë" me
"mundësinë" e plotësimit të saj. Ndërkaq, këtë vit
është bërë një ndërhyrje radikale me fonde të konsiderueshme
për përmirësimin e standardeve të
jetesës dhe kushteve të banimit në shtëpitë e të
moshuarve në Tiranë dhe Kavajë. Projekti i rikonstruksionit
të thellë të tyre që sapo ka përfunduar, u
bë nga një kompani italiane e specializuar dhe mund
të themi se tashmë kushtet në të dyja këto institucione
janë plotësisht në përputhje me standardet
sociale moderne dhe me "praktikat e mira" të shërbimit
social.
Megjithatë, në këtë ditë të tyre, si drejtor i
përgjithshëm i Shërbimit Social Shtetëror, por dhe si
qytetar i këtij vendi, më duhet të them se shoqëria
nuk mund të besojë dhe të shpresojë se zgjidhja e
problemeve të të moshuarve dhe kujdesi për ta mund
të zgjidhet me institucione sociale. Sado moderne që
t‘i bëjmë ato, është e pamundur që të zëvendësojnë
familjen biologjike, këtë vatër të ngrohtë, për të cilën
ka aq shumë nevojë i moshuari në këtë pjesë të jetës
së tij. Nuk mund të mos shpreh shqetësimin tim, për
faktin që një pjesë të kostos së "familjes moderne"
"njëbërthamore" apo çfarëdo emri tjetër që t‘i vëmë,
po shkarkohet padrejtësisht mbi të moshuarit, pikërisht
në këtë etapë të moshës, kur ata kanë nevojë më
shumë se kurrë për kujdesin e "bijve të tyre". Kështu
është jeta, ata u kujdesen për bijtë e tyre kur ishin
fëmijë e ky kujdes u duhet kthyer pikërisht tani që
ata janë të moshuar. Pa kohezionin dhe solidaritetin
moshor të familjes është e vështirë që të përballojmë
me institucione problemet sociale të të moshuarve,
që për fat të keq po i prodhon në mënyrë artificiale
familja shqiptare sot.
Personalisht ndihem i shqetësuar me faktin që
kohët e fundit është rritur tepër fluksi i kërkesave për
sistemim në "azil" (më falni për termin, por duhet ta
kuptojnë familjet që braktisin të moshuarit). Çfarë po
ndodh, pse ky "bum" kërkesash për në shtëpitë e të
moshuarve? Ka ndodhur ndonjë devijim demografik
i paparashikuar nga shoqëria, nuk ka kapacitete normale
për absorbimin e të moshuarve në nevojë, apo
po pëson ruptura të thella familja biologjike shqiptare?
Apo janë të gjitha bashkë që kanë krijuar këtë
presion të ri të panjohur më parë? Problemi i braktisjes
së të moshuarve duket se kohët e fundit ka
marrë deformim social dhe realisht situata e të
moshuarve ka shenja të përkeqësimit të dukshëm.
Kërkesat e shumta, intensive të njerëzve për të vënë
në mbrojtje shtetërore të moshuarit, është një nga
treguesit e "jashtëm" të kësaj dukurie sociale. Kjo
është sfida e të gjithëve dhe jo vetëm e shtetit. Të
moshuarit do të duhet të kenë bashkërisht kujdesin
e natyrshëm të familjes, dorën e ngrohtë të shtetit
dhe kujdesin e veçantë të komunitetit e të shoqërisë
civile. Kjo është sfida e madhe e shoqërisë shqiptare,
të cilën nuk duhet ta kujtojmë vetëm në 1 tetor, në
ditën ndërkombëtare të të moshuarve, por çdo ditë,
vazhdimisht…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›