Vlorë, tentuan të vrisnin një person, prangosen nga policia

Policia e Vlorës ka arrestuar dy persona nën akuzën për tentativë vrasjeje.
Burime nga policia bëjnë me dije se pas informacioneve të marra në rrugë operative se në fshatin Armen ka pasur një konflikt me armë zjarri, brenda një kohe rekord është bërë e mundur identifikimi i autorëve të kësaj ngjarje në vendin e quajtur “Kthesa e Xhyherinës”.
Pak para mesnate pas një grindje me motive të dobëta, dy të arrestuarit Hasan Hasanaj, 32 vjeç dhe Viçens Breshanaj 29 vjeç në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë qëlluar me armë zjarri gjahu shtetasi me iniciale Q. C., i cili ka marrë dëmtime dhe ndodhet në spitalin e Vlorës në gjendje të rëndë shëndetësore.
Nga kontrolli i ushtruar në automjetin tip Opel me të cilin po largoheshin këta shtetas është gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu tip karabinë si dhe dy fishekë.
Ndaj të ndaluarve nisi hetimi për veprën penale, “Vrasje me dashje”.