E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, terrorizuan me armë të moshuarit, arrestohen 2 "maskat"

Kanë terrorizuar me maskë dhe me armë një çift të moshuarish, ndërkohë që vetëm një ditë pas kësaj janë vënë në pranga nga ana e policisë së Vlorës. Dritan Muçaj, 26 vjeç dhe Gentjan Luzaj, 35 vjeç, të dy nga qyteti i Vlorës janë arrestuar dje dhe me cilësinë e provës materiale u është gjetur arma si dhe mjetet që kishin përdorur për maskim.

Ngjarja ndodhi në fshatin Nartë të Vlorës, në orët e mbrëmjes së hënë. Të dy personat kanë qenë të maskuar dhe me një armë gjahu, nën kërcënimin e të cilës i kanë kërkuar çiftit Papa të gjithë lekët që kanë pasur në banesë. Me të vënë re praninë e të huajve, bashkëshortët kanë reaguar duke u përleshur me njerëzit e maskuar. Për pasojë janë lënduar lehtë të dy bashkëshortët, si dhe 35- vjeçari Luzaj që kishte shkuar për të vjedhur. Duke parë rezistencën, por edhe zhurmën që është bërë në banesën e të moshuarve, të dy grabitësit janë larguar me automjetin e tyre Tip Rover, me ngjyrë blu, me targa VL 1906 A. Pas largimit të autorëve nga banesa, të dy bashkëshortët kanë njoftuar policinë. Mjeti është kapur nga policia në afërsi të portit të Vlorës dhe brenda tij janë gjetur e sekuestruar më pas në cilësinë e provës materiale një armë gjahu teke e markës Ruse, tip Baikal, e kalibrit 12 mm, dy çorape me ngjyrë të zezë në formën e maskave, një thikë, tre fishekë armë gjahu si dhe automjeti me Rover në pronësi të 35- vjeçarit, Luzaj. Mbi dy shtetasit rëndon akuza e vjedhjes me dhunë dhe në bashkëpunim si dhe mbajtjes pa leje të armëve të gjahut.

Email This Klikime: 6

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›