Studentët e Universitetit të Tiranës, në javën e dytë të protestave
Pas një takimi me rektorin e Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, studentet morën mbështetjen e tij dhe të dekanëve përkatës të fakulteteve për protestat e tyre legjitime dhe të drejta. Ndërkaq, në një deklaratë për mediat, përfaqësuesi i studentëve të Fakultetit Histori-Filologji, Trendafil Brati u shpreh se ministria duhet të zbatojë ligjin në radhë të parë dhe të respektojë studentët për atë çfarë e kërkojnë. "Ne jemi të vendosur për kërkesat tona të cilësuara si të drejta nga rektori dhe dekanatet", u shpreh Brati. Protestat e studentëve priten të përshkallëzohen dhe të jenë më intensive në ditët në vazhdim. Po kështu, pasditen e djeshme, studentet kanë nisur firmosjen e një peticioni, i cili kërkon zbatimin e përpiktë të ligjit nr 9741 si dhe diploma reale dhe ekuivalente me vendet e tjera të Europës që zbatojnë sistemin e Bolonjës. Gjithashtu, studentët në kërkesat e tyre kanë përfshirë edhe autonominë e plotë të senateve akademike për përcaktimin e përmbajtjes së diplomës. Protesta e studentëve, e organizuar kësaj here para rektoratit gjatë takimit me rektorin do zhvendoset përpara MASH-it sikurse ka ndodhur dhe javën e kaluar. Pavarësisht përpjekjeve të studentëve për t'u takuar me ministrin Fatos Beja, asgjë nuk është arritur. Sipas tyre ministri nuk pranon takim me ta si dhe ka hedhur poshtë çdo kërkesë të bërë nga ana e tyre.
Email This Klikime: 9