E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, drejt mbylljes së hetimeve ndaj kryebashkiakut Zotkaj për qendrën e ngujimit

Një nga prokurorët e çështjes konkludon padinë e ngritur me fakte që nuk ekzistojnë
Prokuroria e Beratit ndodhet pranë mbylljes së hetimeve ndaj kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotka. Së paku një prej prokurorëve të çështjes ka dalë në konkluzionin se padia ndaj tij është ngritur me fakte që nuk ekzistojnë. Shkresa e firmosur nga prokurori i Beratit mban datën 15 janar të këtij viti dhe mban firmën e prokurorit Tasim Puci, një jave para shpërthimit të çështjes në publik.

 Hetimet e nisura rreth një vit më parë u bënë të ditura pas publikimit të fakteve që tregonin se fëmijët e ngujuar në qendrën e tyre në Poliçan ndodheshin në kushte të vështira. Ata trajtoheshin nga një shoqatë e drejtuar nga shtetasja Liljana Luani, e cila ngriti disa akuza ndaj kryebashkiakut Zotka, që lidhen kryesisht me përvetësimin e fondeve konkrete. Por prokuroria në shkresën e saj të 15 janarit del në konkluzionin se fondet e akorduara për fëmijët e ngujuar ishin të kushtëzuara dhe nuk mund të prekeshin nga bashkia. Prokurori shkruan në vendimin e pushimit të hetimeve në ngarkim të shtetasit Adriatik Zotkaj, se kanë marrë në pyetje të gjithë personat e përmendur në çështjen e 2.7 milionë lekëve për të cilat zonja Liljana Luani akuzon për përvetësim kryebashkiakun Zotka. Pas marrjes në pyetje të shtetases Bukurije Lezi rezultoi se paratë ishin tërhequr prej saj dhe ishin shpërndarë për punonjësit e qendrës dhe për blerjen e mallrave. Kjo dëshmi është konfirmuar pas marrjes në pyetje të punëtorëve që kishin emrat në bordero dhe të shitësve që kishin dhënë mallrat. Ndërsa në lidhje me pretendimin se kryebashkiaku Zotka ka lëshuar një deklaratë me shkrim sipas të cilës paratë janë marrë prej tij, hetimet rezultuan se letra ishte e falsifikuar dhe se shkrimi i vërtetë ishte i shtetasit Ali Alushani, kryetari i bordit të shoqatës së drejtuar nga Liljana Luani dhe ish- ministri i Shëndetësisë në regjimin komunist. Në konkluzionet e prokurorisë përmendet edhe fondi prej 3.8 milionë lekë për të cilën thuhet se janë paraqitur dy situacione dhe se bashkia nuk kishte asnjë lloj dokumentacioni dhe as për një zë të shpenzimeve që thuhet se është përdorur për udhëtime dhe dieta.
Hetimet
Hetimi ka hedhur dritë mbi atë që ka ndodhur me miliona lekë të akorduara për fëmijët e ngujuar. Në të thuhet se Bashkia e Poliçanit me pretendimin se fondet po abuzoheshin nga shoqata, kërkoi ndërprerjen e financimit dhe kalimin e qendrës në vartësi të shtetit. Kjo ndodhi në fund të vitit 2008 dhe tashmë në qendër është caktuar një tjetër drejtues, ndërsa fëmijët do të trajtohen direkt nga shteti dhe jo shoqatat. Gjithsesi, pritet që tani shkresa e firmosur nga prokurori i çështjes të firmoset edhe nga kreu i Prokurorisë së Beratit, për të marrë formën e tij finale dhe formale. Ndërkaq, Shoqata mbarëkombëtare Save the children ka shfaqur interesim për fëmijët e ngujuar që ndodhen në qendrën e qytetit të Poliçanit. Në ndihmë të këtyre fëmijëve kjo shoqatë ka premtuar sensiblizimin e donatorëve të ndryshëm me qëllim ofrimin e ndihmës sociale për këta fëmijë. Vetë përfaqësuesja e kësaj shoqate për Shqipërinë, Vesiemog Naerland ka qënë dje në qendrën e fëmijëve në qytezën e Poliçanit. Fillimisht ajo ka zhvilluar një takim me vendorët e Poliçanit ku ka kërkuar të njihet me aktivitetin e qendrës dhe funksionimin e saj. Më pas përfaqësuesja e kësaj shoqate për Shqipërinë, norvegjezja Naerland ka parë nga afër ambientet e qendrës duke i vizituar ato. Ajo ka pohuar qartë se është njohur nëpërmjet medias në lidhje me aktivitetin e qendrës dhe ka shprehur interesimin për tu njohur më shumë rreth saj. Përfaqësuesja ka premtuar se do të sensibliziojë shoqata dhe donatorë të ndryshëm për të investuar në këtë qendër. Ajo premtoj se në ndihma e këtyre fëmijëve nuk duhet të jetë vetëm në planin ekonomik, por dhe atë social, pasi fëmijët e qendrës kanë nevojë për trajtim social.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›