E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, tre gjyqtarë kërcënohen në sallën e gjyqit

Share

Tre gjyqtare të gjykatës së Faktit në Vlorë, Artur Malaj, Mirela Mishgjoni dhe Albert Spiro, janë kërcënuar haptazi në sallën e gjyqit dy ditë më parë, ndërsa jepnin vendimin për të pandehurin Klevis Gjahtari, i vitlindjes 1987, i njohur nga strukturat e ligjit si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Ngjarja ka ndodhur pak javë pasi qyteti i Vlorës u trondit nga vrasja mafioze e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ndërkohë që është rritur ndjeshëm kërcënimi në punën e gjyqtarëve.

Në sallën e gjyqit, i pandehuri Klevis Gjahtari akuzohej për tre vepra penale: mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe të lëndës plasëse tritol, të lëndës narkotike të llojit hashash si dhe të municionit luftarak.

Nga ana e prokurorisë u kërkua dënimi me pesë vjet burg për të tre veprat penale si dhe pezullimi, pra mosekzekutimi i këtij vendimi, duke u vënë si kusht që i pandehuri për dy vjet të mos kryente vepra penale. Nga ana e gjyqtarëve, i pandehuri u konsiderua i rrezikshëm, pasi njihet si person i lidhur me krimin. Pistoleta që iu gjet ishte profesionale, 15 fishekëshe ndërsa sasia e lëndës plasëse ishte e llojit tritol me dy detonatorë, e gatshme për tu përdorur për shpërthim. Lënda narkotike që iu gjet në shtëpi, tregonte sipas organeve kompetente për një person të çekuilibruar dhe banesa ku iu gjet kjo lëndë narkotike, ishte e marrë me qera, edhe pse i akuzuari disponon një shtëpi të tij. Vendndodhja e shtëpisë me qera është në rrugën nga Riviera për në Vlorë, pranë bulevardit kryesor ku kanë ndodhur disa atentate me lëndë eksplozive, përfshirë edhe atentatin që ka ndodhur me gjyqtarin Skerdilajd Konomi, me pasojë vdekjen e gjyqtarit.

Gjykata në përfundim e ka dënuar me 8 vjet, i ka ulur një të tretën e dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar, por nuk ka pranuar kërkesën që të pezullohej dënimi, por ka urdhëruar që të vuajë dënimin me burgim. Menjëherë pas dhënies së vendimit i pandehuri ka sharë e kërcënuar të tre gjyqtarët. Më pas për këtë shkak u arrestua nga policia pas ankimit të bërë nga gjyqtarët për ngjarjen, arrestim gjatë të cilit ka bërë dhe rezistence. Por ndërkohë duhet theksuar se gjatë fazës së hetimit dhe në gjykim, ishte në masën e sigurisë arrest shtëpie, që në fakt nuk i përshtatet natyrës së këtij personi, i njohur si element kriminal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›