E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, varroset biznesmeni i vrarë Genci Abazaj

03/09/2009  Në varrezat e fshatit Tërbaç, në ceremoni dhe deputetë. Flasin kolegët e tij italianë

VLORE- Në fshatin e lindjes të biznesmenit 39-vjeçar të vrarë dhe të djegur para disa ditësh është zhvilluar ceremonia mortore. Qindra të afërm të njohur dhe miq të biznesmenit të vrarë Genci Abazaj janë mbledhur për ta përcjellë atë në banesën e fundit.

Ceremonia

Fshati Tërbaç ndodhet në zonën e lumit të Vlorës ku kufizohet më fshatin Kuç dhe Brataj. Varrezat e fshatit ndodhen në pjesën e sipërme të këtij fshati dhe që nga shtëpia deri tek banesa e fundit është dashur një kohë prej 30 minutash pasi dhe terreni i keq dhe rruga e amortizuar nuk i favorizojnë mjetet. Para arkivolit me trupin e biznesmenit ka folur fillimisht një prej banorëve të vjetër të fshatit, i cili bëri një përmbledhje të jetës së fisit Abazaj, si dhe traditat patriotike që ata kanë pasur. Më pas vëllai i madh Alberti përpara arkivolit të vëllait të vrarë ka treguar se si ka punuar dhe jetuar Genci, që kur ka studiuar për pikturë ku dhe në dorë mbante një autoportret të bërë vetë nga Genci kur ishte tek kjo shkollë, po ashtu më pas për vitet që punoi në polici si dhe jetën e tij familjare në Aquila të Italisë si një ndërtues me shokë dhe me miq të shumtë që në ditën e lamtumirës po e nderojnë dhe respektojnë. Po ashtu dhe deputetë dhe ish-deputetë e kanë nderuar biznesmenin 39-vjeçar si deputeti Fatmir Toçi dhe ish-deputeti Bujar Leskaj. Pas ceremonisë së varrimit deputeti Fatmir Toçi është shprehur se kjo vrasje është një ngjarje e rëndë për të gjithë kombin shqiptar, pasi u vra njeriu i biznesit, i cili punoi dhe sakrifikoi për familjen e tij dhe të fëmijëve të tij, unë dua të falënderoj mediat është shprehur Toçi se ishin ato që dhanë lajmin të parat. Unë si deputet i bëj apel shtetit që të gjejë sa më parë vrasësit dhe kriminelët dhe t’i çojë para ligjit, pasi u shua një jetë një baba një shok një vëlla. Një prej pesë vëllezërve, pasi Genci kishte dhe katër vëllezër të tjerë dhe pa motër, dhe pikërisht Alberti është shprehur në momentet e tij më të dhimbshme dhe me lot në sy se është shumë i tronditur dhe i bëj thirrje shtetit që të gjej vrasësit asgjë tjetër nuk kam ç’të them vetëm shteti të përgjigjet për të gjetur vrasësit e vëllait tonë. Ndërkohë miqtë e Gencit të ardhur enkas nga Italia janë shprehur se “Genci ishte një djalë i mirë dhe i shoqërueshëm, ne e kishim shumë mik pasi ishim bashkë pothuajse çdo ditë dhe ai punonte tek firma jonë, në ndërtimin e zonës së rrënuar nga tërmeti. Maurizzio di Marko pronar i firmës ku dhe Genci kishte pjesë, është shprehur se Gencin nuk e vranë në Itali që ishte i huaj dhe në Shqipëri në vendin e lindjes së tij e vrasin shqiptarët. Po ashtu dhe një zonjë mike dhe bashkëpunëtore e Gencit. Elsa di Luigji me lot dhe tepër e indinjuar është shprehur se shteti shqiptar duhet të gjejë ata që vranë mikun dhe njeriun e mirë”.

Pistat e hetimit

Biznesmenin mund ta kenë futur në kurth miqtë e tij

FIER- Janë marrë në pyetje dje shokët e viktimës me të cilët Genci ishte shoqëruar deri ditën që u zhduk. Ndërsa policia e Fierit ka marrë në pyetje kryeplakun e fshatit Darzezë si dhe çobanin që gjeti pa jetë trupin e biznesmenit vlonjat. Rrethi i miqve e shokëve të biznesmenit të zhdukur në Vlorë javën e kaluar, i cili u gjet dje i vrarë në Fier, është thirrur në policinë e Vlorës për të dhënë sqarime mbi ngjarjen. Burime zyrtare të policisë së Vlorës thanë se janë duke marrë në pyetje të paktën gjashtë persona me të cilët biznesmeni ka pasur takime e kontakte pas kthimit të tij në atdhe më 14 gusht 2009. Ideja e policisë për shoqërimin e personave me të cilët është takuar biznesmeni 39-vjeçar është mbështetur edhe nga deklarimet e të afërmve të Genci Abazajt. Vëllai i tij ka pohuar në polici së i zhdukuri mund të jetë futur në kurth nga persona që hiqeshin si miq të tij. Sipas vëllait të biznesmenit të vrarë, Genci Abazaj i respektonte dhe u besonte këtyre personave që e kanë thirrur në takim edhe natën e zhdukjes kur “miqtë e tij” mund ta kenë futur në kurth drejt rrëmbimit, torturimit e më pas vrasjes e djegies së trupit të tij në Fier. Burime të Prokurorisë së Vlorës, pohojnë se deri tani kanë katër pista që lidhen me hakmarrje për ngjarje të vjetra, trafiqe femrash, probleme personale dhe borxhe. Sipas Prokurorisë, të afërmit kanë treguar emrat e disa personave që mund të kenë rrëmbyer e më pas vrarë pronarin e një firme ndërtimi në Aquila të Italisë, i cili u zhduk javën që shkoi në Vlorë ku ishte kthyer për pushimet e verës. “Personat tek të cilët dyshon familja janë të dyshuarit kryesor. Burime zyrtare të hetimit të çështjes, të cilat thanë se mbrëmjen e djeshme është marrë informacion për mundësinë që viktima të ketë pasur mosmarrëveshje për çështje borxhesh me disa persona nga Fieri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›