E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i qeverisë bën shaka e batuta miqësore

03/09/2009  Berisha shtron drekën e fundit për kabinetin e tij qeveritar

Falënderime për përkushtimin e treguar në kryerjen e reformave

Kryeministri Sali Berisha ka shtruar një dreke për nder të kabinetit të tij qeveritar. Menjëherë pas mbledhjes së qeverisë, e cila ishte e fundit për këtë trupë ministrore, të gjithë shkuan në Vilën Qeveritare nr. 31, e cila ndodhet pak metra larg selisë së Kryeministrisë. Gjatë kësaj dreke shefi i ekzekutivit ka falënderuar ministrat e kabinetit të tij për punën që ata kanë bërë gjatë viteve të tyre në detyrë. Mësohet se Berisha ka evidentuar ndryshimet që ka pësuar vendi gjatë katër vjetve të fundit. Ai ka vënë theksin në reformat e mëdha e të rëndësishme të ndërmarra, të cilat mundësuan anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO si dhe afruan më shumë Shqipërinë drejt Bashkimit Europian. Ai nuk ka ngurruar të bëjë edhe ndonjë shaka e t’u hedhë batuta ministrave të tij. Dreka e djeshme ka qenë e fundit për një pjesë të mirë të ministrave, pasi në ditët në vijim do të përpilohet lista e re e ministrave të ekzekutivit të ri, pjesë e të cilit do të jenë politikanë të tjerë si nga Lëvizja Socialiste për Integrim, nga deputetë të tjerë të Partisë Demokratike, ashtu dhe nga aleatët e tjerë të partisë më të madhe të mazhorancës së re parlamentare. Dreka e djeshme do të jetë e fundit për ministrin e Mjedisit Lufter Xhuveli dhe ministres së Shëndetësisë Anila Godo. Por mendohet se do të jetë e fundit edhe për disa nga ministrat e tjerë demokratë. Përfshirja në qeverinë e re të LSI-së dhe partive aleate të PD-së është vendimtare për ripërtëritjen e trupës ministrore. Pak para kësaj dreke, gjatë mbledhjes së qeverisë, kreu i saj Sali Berisha lajmëroi se kishte shtruar një drekë private e miqësore për anëtarët e qeverisë, larg vëmendjes së medieve. Në fund të fjalës së tij para ministrave në mbledhjen e fundit të këtij kabineti qeveritar Berisha shprehu falënderimet në mënyrë të veçantë për familjet e ministrave. “Falënderoj përzemërsisht familjet tuaja, u shpreh atyre mirënjohjen time. Secili prej tyre do të mund të kishte pasur një jetë familjare më të plotë në variante të tjera, por sakrifica që kanë bërë duke mbështetur përpjekjet tuaja është një sakrificë në të mirën e familjeve dhe shoqërisë shqiptare në tërësi”, - ka deklaruar Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›