E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, zjarri shkrumbon tregun e fruta -perimeve

Flakët kanë djegur tregun dhe 17 magazina, ende nuk dihet madhësia e dëmeve. Shkaku, një shkëndijë elektrike


VLORË- Flakët e zjarrit kanë shkrumbuar mesditën e djeshme tregun e shumicës së fruta perimeve në qytetin e Vlorës. Zjarri është parë fillimisht në një nga magazinat e këtij tregu, ndërkohë që flakët kanë përparuar shumë shpejt duke rrezikuar ambiente të tjera të tij. Zjarrfikësit kanë shkuar në vendin e flakëve por shuarja e zjarrit ka ndodhur vetëm rreth orës 14.00. Në ndihmë kanë ardhur dhe efektivë të drejtorisë së policisë. Paraprakisht mendohet që dëmet të jenë të konsiderueshme, pasi janë djegur malli dhe pajisjet që ndodheshin brenda magazinave. Ende nuk ka një bilanc të tyre, pasi po përpiqet të shpëtohet, çka nuk është prekur ende nga flakët.


Situata në zonën ku ndodhen magazinat pranë Jallisë së Nartës, ka qenë e nderë në orët e paradites. Magazina të tëra në flakë, punonjës të zjarrfikëseve, efektivë të shumtë të policisë dhe shumica e tregtarëve që mundoheshin të shpëtonin atë çka nuk ishte djegur ende, ndërkohë që flakët po përpinin pothuajse gjithçka. Në sytë e tregtarëve lexohej qartë hidhërimi, teksa mundoheshin të ndihmonin zjarrfikësen dhe policinë për të bërë të mundur fikjen sa më shpejt të zjarrit, si dhe shpëtimin e tërë investimeve të tyre, të hedhura në këtë treg shumice. Duke parë thjesht çfarë po bëhej, nuk kanë munguar as të qarat për humbjen e mallit. Një prej tregtarëve tha se është gjetur koha më e keqe për ne. "Ne tashmë jemi të falimentuar tha ai, pasi kjo është sasia më e madhe që ne marrim ndonjëherë, pasi magazinat nga ku furnizohemi jashtë e kanë pushim në muajin gusht dhe ne kemi marrë më shumë mall se ngarkesat e muajve të tjerë. Me këtë që mu dogj, unë jam në mes të katër rrugëve, thotë ai.

Në magazinat qendrore të tregut të shumicës mund të gjeje kudo vetëm tym, mallra të djegura, fruta e perime po të djegura, pajisje që nuk kuptoheshin çfarë kishin qenë më parë. Zjarrfikësit janë munduar të shuajnë dhe lokalizojnë zjarrin, por pa mundur dot të arrinin një lokalizim të shpejtë. Brenda ambienteve ka pasur edhe bombola të vogla gazi (të tipit gazore kafeje), të cilat plasnin njëra pas tjetrës nga temperaturat e larta të krijuara nga flakët, si dhe bombola të tjera, të cilat fluturonin sa në një cep në tjetrin në hapësirën e tregut.


Njëri prej tregtarëve që në përpjekje me zjarrfikësit dhe policinë mundohej të fikte zjarrin pikërisht në këtë kohë, i është shkëputur një copë tullë e tavanit si dhe suvaja duke e dëmtuar në kokë. Nga rënia e suvasë janë dëmtuar lehtë dhe disa punonjës të zjarrfikëses. Menjëherë tregtari është çuar me ambulancë në spital për mjekim të mëtejshëm, ndërkohë që zjarrfikësit e lënduar lehtë kanë vazhduar punën për të bërë të mundur parandalimin e shuarjen e zjarrit. Tregu i shumicës kishte në murin rrethues si dhe brenda në magazinë edhe vendet e parandalimit të zjarreve si dhe pajisjet për këtë gjë por asnjëra prej tyre nuk ishte funksionale.


Shkak i zjarrit mendohet të ketë qenë një shkëndije elektrike, e shkaktuar teksa brenda një magazine saldohej. Ende të dhënat janë paraprake, ndërkohë që po bëhen vlerësimet e dëmeve. Nga të dhënat paraprake, dëmet rezultojnë të konsiderueshme. Tregu i shumicës së fruta perimeve është një nga investimet e viteve të fundit të kryera në Vlorë, me të gjitha kushtet bashkëkohore, me 24 magazina brenda qendrores dhe me ambiente të posaçme për shitjet që kryheshin në pjesën e territorit jashtë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›