Babai mbyll djalin në çmendinë: Është i dhunshëm
Hysen Laze i ka kërkuar policisë të dërgojë të birin 33-vjeç në psikiatri duke fajësuar fenë për sëmundjen e tij
TIRANE- Babai denoncon djalin mysliman për ushtrim dhune dhe për ta ndaluar gjen si zgjedhje mbylljen e tij në spitalin psikiatrik. Vetëm me një epikrizë të lëshuar nga spitali numër pesë në kryeqytet, 33- vjeçari ka përfunduar në spital. Lajmi është pohuar dje nga burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit.
Daut Laze, 33 vjeç, banues në Unazën e Re, për shkak të një konflikti në familje me babanë e tij, ka përfunduar në spitalin psikiatrik nr.5. Kjo pasi i ati ka denoncuar se djali kishte ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes. Për të shpënë të birin në spitalin e të sëmurëve me të meta mendore, Hysen Laze ka përdorur një epikrizë të të birit që ai kishte në shtëpi. Me anë të këtij vërtetimi mjekësor tregohej se Dauti vuante nga shqetësime mendore të herë pas hershme.
Madje gjatë deklarimeve të tij në komisariatin e policisë nr.6, Hysen Laze, nuk është mbajtur me kaq, por ka deklaruar se i biri nuk ishte në rregull që nga koha që kishte nisur të bëhej praktikant i fesë myslimane. Madje, sipas të atit, ai shkonte të falej në mënyrë të vazhdueshme në një nga xhamitë e zonës, duke u bërë një praktikant strikt i fesë myslimane. "Ne kemi ardhur nga Skrapari dhe që nga koha kur ai ka nisur të frekuentojë xhaminë ai nuk ka qenë në rregull",- mësohet të ketë pohuar Hysen Laze në polici, duke u përpjekur të lidhë shqetësimet e të birit me frekuentimin e fesë myslimane. Një pohim i tillë iu është dukur krejt pa vend efektivëve të komisariatit të policisë së Kombinatit, të cilët thuajse nuk e kanë "vënë ujin në zjarr" për deklarimet e Hysen Lazes, se i biri kishte probleme për shkak të frekuentimit të xhamisë prej tij.
Por kur babai i të denoncuarit iu ka dorëzuar një epikrizë në të cilën argumentohej se Daut Laze, 33 vjeç, vuante nga probleme psikike, kanë harruar argumentin e Hysenit se i biri falej në Xhami, por kanë izoluar djalin të cilin e kanë dërguar në ambientet e spitalit, ku edhe ua kanë dorëzuar mjekëve psikiatër për trajtimin shëndetësor të tij. Zyrtarë të policisë së kryeqytetit pohuan se shoqërimi i tij, në spitalin përkatës i Daut Lazes, nuk është bërë për pretendimin e babait të tij, që i lidhte shqetësimet mendore të të birit me frekuentimin e fesë, por se në fakt për të kishte një raport mjekësor të psikiatrit që tregonte se personi vuante nga shqetësime të vazhdueshme psikike.