Vodafone Albania mbështet “3 Tenorët”
Vodafone Albania mbështet sërish artin dhe muzikën, këtë herë duke qenë pranë një prej koncerteve më të rëndësishme vjetore të organizuara në Shqipëri. Koncerti klasik “3 Tenorët” këtë vit do të mbahet në datën 6 dhjetor, ora 19:00 pranë Pallatit të Kongreseve. Tre tenorëve, Ardian Xhema, Armando Kllogjri dhe Rame Lahaj do t’u bashkohen të ftuarit specialë, tenorët napolitanë Xhakomo Mosta, Vito Ruso, Françesko Tupo dhe Maestro Luixhi Otaiano. Prezenca e këtyre tenorëve përbën edhe një nga veçantitë e këtij edicioni, pa harruar bashkëpunimin e emrave të njohur shqiptarë si pianisti Genc Tukiçi dhe sopranoja e mirënjohur Ramona Tullumani. Më tej, ky koncert ka mbështetjen e Orkestrës Filarmonike të Akademisë së Arteve nën drejtimin e dirigjentit italian Vito Clemente. Koncerti “Tre Tenorët” është një ndër aktivitetet artistike më të rëndësishme dhe më të shumëpritura të vitit, që ka pasur mbështetjen e kompanisë “Vodafone” për vite me radhë. Edhe këtë vit pritshmëria e publikut është e lartë, për të shijuar një mbrëmje me muzikë të mrekullueshme shoqëruar nga zërat më të mirë të muzikës klasike vendase dhe botërore.