E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e 15 nëntorit, Ristani: Jo ndryshim fletëve të votimit



Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve, Arben Ristani, u është përgjigjur dje akuzave të opozitës në lidhje me mundësinë e asgjësimit të fletëve të votimit të përdorura në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ristani bëri të ditur se Kodi Zgjedhor ka përcaktuar të gjithë procedurën se si veprohet në të tilla raste. “Kodi Zgjedhor parashikon që pasi përfundojnë zgjedhjet, KQZ hap kutitë e votimit dhe materialet që duhen, dërgohen në Arkivin e Shtetit, ndërsa ato që nuk duhen, asgjësohen. Ky është përcaktimi, që është një përcaktim pa afat, por që në këtë rrugë veprohet menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve”, - deklaroi Ristani. Ai u pyet nga mediat se ç’do të ndodhte me materialet zgjedhore, ndërsa Ristani tha: "Ne nuk kemi asnjë nxitim në këtë histori, po zbatojmë vetëm ligjin dhe shohim nevojat për të përmbyllur procesin që ligji na e vendos si detyrë. Por, në rast se do të na duhen, sigurisht do të veprojmë sipas ligjit. Procesi është i mbyllur, ai i ka kaluar të gjitha filtrat e mundshëm ligjorë, të përcaktuar nga vetë forcat politike. Se çfarë bën politika është problemi i saj. Në rast se do të ndryshojmë ligjin apo do të vendosim sipas kompetencave të tyre, ne do të zbatojmë ato që na ngarkon ligji për të zbatuar”. Kreu i KQZ-së këmbënguli se ligji parashikon të gjitha procedurat dhe tha se në këtë moment KQZ-në e dikton fakti që ka zgjedhje të pjesshme lokale para. “Megjithatë, ne do të vlerësojmë nevojat dhe nëse do të na duhen, ne do të zbatojmë ligjin, që është një ligj i miratuar me konsensusin e plotë të të gjitha palëve dhe ligji nuk mund të zbatohet 'çapraz', një herë majtas e një herë djathtas”, - tha kreu i KQZ-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›