Sigurimet shëndetësore, 153 mijë libreza për 3 muajt e parë të 2010-s
Jonida Tashi
Mbi 153 mijë persona janë pajisur për herë të parë me Librezë shëndeti gjatë tre muajve të parë të vitit 2010. Shifra bëhet e ditur zyrtarisht nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH). Sipas shifrave të raportuara dje nga ky institucion, tremujori i parë i vitit 2010 ka sjellë një rritje të konsiderueshme të përdorimit të skemës së sigurimeve shëndetësore, të cilës i janë shtuar 153 mijë persona, ndërkohë që numri i vizitave është rritur me 160 mijë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Administrativ të ISKSH-së, drejtoresha e përgjithshme, Elvana Hana, pasqyroi të dhënat e rritjes së skemës së sigurimeve dhe pajisjes së personave me librezë shëndetësore. “Gjate tremujorit të parë të vitit 2010 janë pajisur për herë të parë me librezë shëndeti 153 050 të siguruar, ndërkohë që në tremujorin e parë të vitit 2009 u pajisën 82 043 persona. Pra, gjate tremujorit të parë 2010 janë pajisur me librezë shëndeti 71 007 të siguruar më shumë se gjatë tremujorit të parë të 2009-s, ose 86% më shumë)”, - u shpreh në mbledhjen e Këshillit Administrativ drejtoresha e ISKSH-së.
Përfitimet
Përsa i takon përfitimeve nga skema e sigurimeve shëndetësore, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, nga mjekët e familjes dhe qendrat shëndetësore të kujdesit parësor janë trajtuar me receta me rimbursim 251 518 pacientë, janë kryer 1 415 003 vizita dhe për pacientët e siguruar, janë plotësuar 804 473 receta me rimbursim. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, ka një rritje prej mbi 160 mijë vizita më shumë. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, gjatë tremujorit të parë të vitit ka një rritje në vlerë rimbursimi prej 22% më shumë (në vlerë absolute për 256 milionë lekë) krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009.
Kequshqyerja, 30 për qind e fëmijëve në Shqipëri janë të pazhvilluar
Rreth 30 për qind e fëmijëve nga mosha 0-5 vjeç në vendin tonë janë të pazhvilluar, për shkak të kequshqyerjes. Shifra bëhet e ditur nga autoritetet e Shëndetësisë, të cilat sqarojnë se rreth 28 për qind e fëmijëve nga mosha 0 deri në 5 vjeç në zonën e Veriut, si edhe 18 për qind e tyre në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut, nuk kanë parametrat normale të zhvillimit, pasi rezultojnë më të shkurtër se normalja. Sipas specialistëve të Ministrisë së Shëndetësisë, shkaku kryesor i kësaj është kequshqyerja, e cila vihet re më shumë në zonat e varfra. “Si pasojë e kequshqyerjes, fëmijët e moshës 0 deri në 6 muaj shfaqin problem të mirërritjes. Rreth 5 për qind e tyre kanë një peshë më të vogël, 19 për qind kanë një gjatësi më të vogël për moshën, ndërsa 9 për qind kanë një raport të peshës me gjatësinë nën atë që pritet. Kequshqyerja ndikon gjithashtu dhe në obezitetin e fëmijëve dhe ky numër në Shqipëri paraqitet mjaft shqetësuese”, - thotë drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja. Specialistët thonë se ushqimi me gji i fëmijëve deri në moshën 6 muaj është një prej rekomandimeve botërore. Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka theksuar nevojën e bashkëpunimit të shumë sektorëve për të reduktuar kequshqyerjen. Përmes një programi të mbështetur edhe nga organizata ndërkombëtare, në 5 rrethe të veriut të Shqipërisë si Kukës dhe Shkodër dhe në dy bashki
periferike të Tiranës do ndërhyhet për përmirësimin e gjendjes së ushqyerjes së fëmijëve nga 0-3 vjeç. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, mori pjesë dje në takimin kombëtar për arritjen e konsensusit për veprime ndërsekoriale në zbatim të programit kombëtar “Zvogëlimi i kequshqyerjes së fëmijëve shqiptarë dhe rritjen e aksesit për ushqim”, mbështetur nga Fondi Spanjoll për arritjen e objektivave të Mijëvjeçarit.
12 Maj 2010