E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagos pas një sherri gjyshen, arrestohet

Korçë- Plagos rëndë gjyshen në rrethana ende të paqarta. Ngjarja ndodhi në qytetin e Leskovikut, ku e dëmtuara 93-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spitalin e qytetit.

Sipas burimeve të policisë, që bëjnë me dije lajmin mësohet se autor i krimit brenda familjes është 47-vjeçari, Spiro Kole, nga qyteti i Leskovikut.

“Në rrethana ende të paqarta, 47-vjeçari ka qëlluar me mjete të forta gjyshen, duke e lënë të gjakosur përtokë”- thanë burimet policore.

E moshuara është transportuar me urgjencë në spitalin e Leskovikut. “Gruaja ka marrë dëmtime të rëndë në pjesë të ndryshme të trupit, por në mënyrë të veçantë në pjesën e kraharorit dhe në këmbë, ku ka fraktura të shumta”- thanë mjekët.

Ndërkohë, policia, e njoftuar nga fqinjët ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka bërë arrestimin e 47-vjeçarit. Ai u shoqëruar në ambientet e komisariatit, në pritje të caktimit të masës së sigurisë.

Policia, nga hetimet paraprake nuk bën me dije shkaqet e kësaj ngjarjeje, por sqaron vetëm se mbi autorin rëndon vepra penale e plagosjes së rëndë me dashje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›