Vodhi 20 mijë euro, tërhiqte para nga llogarit e klientëve

Kujtim Vata, i punësuar prej 14 vitesh si roje sigurie brenda ambienteve të një prej shumë bankave të nivelit të dytë në vend, me anë të mashtrimit ka arritur të përvetësoj shumën prej 20 mijë eurove. Këtë shumë, personi nën hetim Vata, e ka përfituar brenda 12 muajve, duke tërhequr para nga llogarit e 18 klientëve të bankës në 69 raste të ndryshme. Sipas prokurorisë, kallëzimi ndaj rojes së bankës është kryer nga vetë banka, pas denoncimit të një prej klientëve, të cilës i ishte vjedhur shuma prej 900 eurove. Kjo shumë, sipas denoncueses, ishte tërhequr në shtatë raste.
Nisur nga ky denoncim, vetë banka kishte nisur një hetim administrativ, duke verifikuar për 12 muaj të gjitha tërheqjet e dyshimta nga shtatori 2011 e deri në nëntor të 2012, si dhe janë këqyrur kamerat e sigurisë për të parë se kush ishte personi që kishte tërhequr këto shuma. Nga hetimi i kryer, është zbuluar se roja i bankës, thuajse çdo paradite të së shtunës, ka tërhequr para nga 18 llogarit e klientëve të bankës, me pretendimin se po tërhiqte me kërkesë të tyre, shkruan Shekulli.
“Roja Kujtim Vata, duke qenë i besuar i punonjësve të bankës, çdo të shtunë kërkonte dhe tërhiqte para nga llogarit e 18 klientëve, me pretendimin se ata kishin kërkuar tërheqjen pasi ndodheshin jashtë dyerve të bankës në pritje të këtyre lekëve. Të ndodhur në këto kushte, punonjësit e bankës i besonin dhe i jepnin parat, ku vetë ia firmoste në mandat tërheqjet e bankës”, - thuhet nga hetimi. Sipas prokurorisë, për këtë fakt, është kërkuar sekuestrimi i llogarive bankare të Kujtim Vatës deri në kthimin e shumave të vjedhura./Indeksonline/