Vodhi naftë në mjetet e firmës që ruante, ndalohet 48 vjeçari
Një 48 vjecar nga Vlora ka kërkuar punë dhe e ka gjetur atë duke ruajtur makinat e një firme që merret me punime në autostradën Vlorë-Fier pranë fshatit Cerkovinë të këtij rrethi. Mirëpo, nëse detyra e tij ishte të ruante makinat, ai gjatë natës grabiste naftën në këto makina.
Shqetësimi ishte ngritur nga shoferët disa herë por nuk ishte gjendur dot grabitësi. Por kjo ka ndodhur deri ditën e djeshme, sepse roja e këtyre makinave është kapur në flagrancë duke bërë ritin e tij të zakonshëm. Shtetasi I. Meminaj, 48 vjeç dhe banues aktualisht në fshatin Panaja të këtij rrethi, është kapur me një makinë tip fuoristradë me targa NEE 4659 duke u nisur nga vendi i rojës për të transportuar rreth 150 litra naftë që ua kishte marrë makinave që kishte për detyrë ti ruante. Sipas hetimeve të para rezulton se këtë punë ai kishte kohë që e bënte dhe se për mungesën e naftës në serbatorët e makinave ankoheshin shpesh shoferët e këtyre makinave.