Ndërron jetë në spital 60 vjeçarja nga Fieri që u dhunua nga i shoqi
Ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak 60 vjeçarja nga Berati, e cila u rrah barbarisht nga bashkëshorti i saj. 60 vjeçarja Lizheta Mice, u transportua pak ditë më parë në Spitalin Ushtarak pasi kishte marrë plagë të rënda gjatë dhunës së ushtruar nga i shoqi, i cili e kishte lënë dy ditë në shtëpi të plagosur pa e dërguar në spital.
Ishte vajza e martuar e çiftit, ajo që gjatë një vizite në familjen e prindërve të saj, kishte parë të ëmën në gjendje të rëndë shëndetësore, pas dhunës së ushtruar nga i shoqi. Menjëherë vajza e kishte dërguar të ëmën në spitalin e Beratit, por duke parë gjendjen e 60 vjeçares ishte vendosur që ajo të transportohej për në Tiranë për një mjekim më të specializuar. Ndërkaq, me të mësuar mbi atë çka i kishte ndodhur të ëmës, vazja ka denoncuar të atin 62 vjeçar, i cili është arrestuar nga policia e Beratit, pasi akuzohet për dhunë me pasojë plagosjen e rëndë ndaj bashkëshortes së tij. Burime nga drejtoria e policisë së Beratit bënë të ditur se ngjarja për të cilën është arrestuar 62 vjecari Kopi Mice, ka ndodhur pak ditë më parë, pikërisht në banesën e tij në lagjen Kushtrim. Ka qenë ora 20:30 e mbrëmjes kur Mice bashkë me gruan kanë filluar grindjet midis njeri-tjetrit arsyet e së cilës kanë janë quajtur banale nga organe te policisë. Po sipas të njëjtave burime, 62 vjeçari kishte rënë në kurthin e alkoolit, dhe për të ndërprerë këtë ves, bashkëshortja e tij kishte flakur pijet alkoolike. Në nxehje e sipër për këtë veprim, 62 vjeçari është ngritur dhe ka filluar dhunën ndaj bashkëshortes së tij duke i shkaktuar trauma të rënda. Për dy ditë me radhë, Mice e ka mbajtur të fshehtë këtë keqtrajtim duke mos e lejuar gruan të shkonte të vizitohej, por ka qenë vetë vajza e çiftit të moshuar, e cila ka shkuar rastësisht tek prindërit dhe kur ka parë të ëmën ka reaguar duke e çuar menjëherë në spital. Edhe pse ka marrë mjekimet e shpejta, e dëmtuara L. Mice ka ardhur duke u përkeqësuar nga ana shëndetësore për faktin se traumat dhe goditjet kanë qenë në pjesët më delikate të trupit.