Papunësia kap shifra alarmante në Fier, shkak reformat në shtet
Shifra alarmante janë paraqitur së fundmi në qarkun e Fierit përsa i përket papunësisë. Me një popullsi prej 82 mijë banorësh, sipas statistikave qyteti i Fierit numëron një papunësi prej 12.8%. Shifrat zyrtare janë deklaruar ditët e fundit nga burime brenda Zyrës së Punës në Fier. Sipas të dhënave, numri i të papunëve punëkërkues shkon në 17. 830 persona në qarkun e Fierit, ku pjesën më të madhe apo në 54% e përbëjnë moshat e reja. Sipas statistikave të deritanishme, kriza nuk ka ndikuar në rritjen e papunësisë në këtë qytet, duke qëndruar në të njëjtat kuota dhe në të njëjtat shifra me ato të një viti më parë.
Por një numër të konsiderueshëm të papunësh, prej 1200 persona kanë qenë për shkak të reformës në sektorin e naftës dhe rritjes së papunësisë. Numri i të papunëve në Fier, si qark është 17830 persona. Në këtë shifër përfitojnë pagesë papunësie 1539 persona, përfitojnë ndihmë ekonomike 6766 persona, ndërsa pjesa tjetër vijon të mbetet e papunë. Tendenca e të papunëve si shifra ka ardhur duke u ulur nga viti në vit, por dalja në asistencë e shumë punonjësve të ndërmarrjeve të sektorit të naftës Albpetrol dhe Armo ka bërë që shifra të kalojë në stade të tjera më të rritura. Janë gati 1300 persona të mbetur të papunë pas reformave të institucioneve shtetërore si Armo dhe Albpetrol, Ndërmarrja e Ujësjellësit, Naftës, Elektrikut etj., si dhe në të gjitha institucionet shtetërore të Fierit. Kjo ka bërë që të rritet ndjeshëm nga viti në vit, numri i të papunëve në Fier. Duke iu referuar shifrave, numrin më të madh të të papunëve në rrethin e Fierit e përbëjnë gratë dhe 45% të rinjtë, thuhet nga drejtoria e zyrës së punës. Ndërkohë, ajo që vlen të theksohet është se shkak i nivelit të lartë të papunësisë është edhe mungesa e arsimimit të punëkërkuesve në lidhje me kërkesat në rritje të kohës që jetojmë. Kjo kategori e punëkërkuesve, është pak e vështirë për të gjetur vende të lira dhe të reja pune sidomos në ndërmarrje, ose sektorë privatë, sepse të gjithë kërkojnë që punëtori të ketë një profesion të caktuar apo një arsim të kënaqshëm. Por gjithsesi duhet thënë se për zbutjen e këtij fenomeni, drejtoria e punësimit në Fier ka bërë që vetëm për këtë vit të kryejnë ndërmjetësim në punësimin e 300 personave, kategori kjo e cila është punësuar vetëm nëpërmjet ndërmjetësimit me firma të ndryshme, qoftë edhe për punë sezonale, ka deklaruar drejtori i zyrës së punës, Kristaq Lena.