Shënon Armando Sadiku, por Lugano barazon
Armando Sadiku ka shënuar sërish për skuadrën e tij Lugano në Zvicër në kategorinë e dytë, këtë herë në fushën e Biel-Benit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare e kaloi ekipin e tij në avantazh në minutën e 15-të të takimit. Por, në pjesën e dytë, në minutën e 57-të, Lugano mbeti me dhjetë lojtarë, pasi Basiç doli me karton të kuq për një ndërhyrje të rrezikshme ndaj kundërshtarit. Me një lojtar më shumë, vendësit arritën që të barazonin shifrat në minutën e 83-të dhe katër minuta më vonë edhe këta të fundit mbetën me 10 lojtarë, pas daljes me të kuq të Doudin. Sulmuesi shqiptar ka shënuar këtë sezon edhe ndaj Aarau në humbjen 3-1, dy gola në fitoren e Luganos ndaj Vohlen (4-1) dhe dy gola në ndeshjen e 30 korrikut ndaj së njëjtës skuadër, Biel-Bien (4-0).