Vokshi: Rama, gjobvënësi më i madh në Evropë, e ftoj në debat televiziv

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka reaguar përsëri sot ndaj sulmeve të Partisë Socialiste. Deputetja demokrate u shpreh se do vazhdojë denoncimin e të tjera aferave të kryesocialistit dhe kryebashkiakut të Tiranës, korrupsionin e lejeve të ndërtimit dhe gjobat e panumërta që shantazhojnë biznesin e ndërtimit. Sipas saj, kryebashkiaku Edi Rama, mbetet gjobvënësi më i madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë.
“E kam theksuar që dokumenti i djeshëm është vetëm një prej dokumenteve të shumtë që vërtetojnë se je gjobvënësi më i madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Vetëm për projektin e zonës te liqeni, i ashtuquajturi projekti “Tirana Rock”, gjoba jote shkon mbi 100 milionë euro. Zoti Rama, denoncimit tim të djeshëm, me dokumente dhe fakte konkrete, ju u përgjigjët nëpërmjet çakenjve, të cilët përdorën një gjuhë që është e denjë vetëm për ju. Zoti Rama, shpifjet dhe trillimet nuk tregojnë gjë tjetër veçse fytyrën tënde të vërtetë prej bllokmeni. Zoti Rama, shpifjet dhe trillimet nuk tregojnë gjë tjetër veçse kulturën që ke marrë, me të cilën je mbrojtur, e që me asgjë ti nuk e mbulon dot. Nëse thoni që unë gënjej se nuk ka vakum ligjor në procesin e Deklarimit të Pasurisë, pse ti Edvin Kristaq Rama ke fshehur për 12 vjet me radhë pasurinë që ti vetë e ke vënë në emër të jo një por të disa partnerëve që tashmë njihen nga të gjithë”- deklaroi deputetja Vokshi.
Ajo e sfidoi kryesocialistin në një debat të hapur televiziv.
“Zoti 20%, nëse je burrë e të ka mbetur qoftë edhe një fije burrërie, nxirre Lepurin nga barku, dhe hajde përballemi në secilën studio televizive që mund ta zgjedhësh ti. Z. Rama, mos u fshih pas çakenjve fatkeqë. Unë, jam e gatshme që me dokumente dhe fakte konkrete të vërtetoj gjobat e vëna dhe pasurinë tënde marramendëse, të vënë në mënyrë të paligjshme në 12 vitet e tua në pushtet, të marrë nëpërmjet sekserëve të tu, të vënë në emër të partnereve dhe partnerëve të tu”- vijoi më tej deklaratën e saj për shtyp, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.