Vokshi: Rritje e përfaqësimit të grave në vendimmarrje
LDGSH tryezë diskutimi për rritjen e grave në vendimmarrje. Organizohen takime në Tiranë, Pogradec dhe Fier
Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë në bashkëpunim me fondacionet CIVITAS dhe Eduardo Frei organizuan në Tiranë, Pogradec dhe Fier, tryeza diskutimesh për rritjen e përfaqësimit të gruas në nisma vendimmarrëse si dhe aktivizimin e saj në fushatat zgjedhore.
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare shprehu gatishmërinë për vendosjen e kuotës 30 për qind të në Kodin Zgjedhor për përfaqësimin e gruas.
“Të gjitha ne jemi të bindura që me punën që kemi bërë, me programin politik që kemi, me ristrukturimin dhe me të gjitha përpjekjet e bëra se fundmi mund ta themi me bindje që ne si Lidhje Demokratike e Gruas, si partnere e Partisë Demokratike jemi të gatshme për vendosjen e kuotës prej 30 për qind në Kodin Zgjedhor dhe mendoj që duke bashkuar zërat tanë, përpjekjet tona, do të bëhet e mundur që edhe në ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor të mbahet parasysh që në gratë meritojmë jo vetëm 30 për qind të vendeve por edhe më shumë se kaq”, deklaroi Vokshi.
Ndërsa sekretari organizativ në Partinë Demokratike Florian Xhuti tha se “ajo çka është më e rëndësishme është që te gjitha strukturat, që nga seksioni, pjesa drejtuese, grup seksioni, dega, këshilli kombëtar, kryesia, delegatët e Kuvendit, sekretariati, është një nën që përcakton në mënyrë të qartë e të prerë në statutin e Partisë Demokratike, që përbërja duhet të ketë në trupën e vet, jo më pak se 30 për qind gra. Ky është elementi tjetër që lidh LDGSH-në me Partinë Demokratike dhe forumet e veta”, deklaroi Florian Xhuti. Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë po lobon që në kodin e ri zgjedhor të përcaktohet kuota prej 30 për qind e përfaqësimit të grave në listat e kandidateve për zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale.
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetja Albana Vokshi, në takimet me kryesitë e LDGSH-se, theksoi se Kryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht Kryeministër i vendit, Sali Berisha, ka vënë në fokus riorganizimin e Lidhjes Demokratike të Gruas, si forumi më aktiv në proceset zgjedhore, duke ndikuar dhe ne fitoren e padiskutueshme të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.