Nga tranzicioni tek pajtimi politik, matrica e pranisë ushtarake shqiptare në Afganistan
Kryeministrit Berisha iu bashkëngjit listës së atyre liderëve perëndimorë që kanë shkuar në Afganistan për t’u shprehur vendosmërinë për angazhimin e pandërprerë në shërbim të lirisë dhe mbështetur moralin e trupave shqiptare me shërbim në zona të “nxehta” lufte. Vizita të ngjashme në Kabul kanë bërë dhe presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, presidenti francez Nicholas Sarkozy, kryeministri britanik David Kameron, kancelaria gjermane Angela Merkel, ish-kryeministri spanjoll Luis Zapatero, ish-kryeministri italian Silvio Berluskoni, e shumë shefa qeverie dhe krerë shtetesh që kanë djemtë e tyre në Afganistan. Sigurisht këto vizita janë të domosdoshme për ushtarët, oficerët dhe nënoficerët që janë larg atdheut dhe në luftë. Ushtarët kanë nevojë për vizita të tilla të autoriteteve shtetërore për të forcuar besimin e sigurinë se po rrezikojnë jetën për një kauzë të drejtë.
Afërmendsh shkuarja e krerëve të shtetit apo/dhe qeverive në Afganistan është shenjë e seriozitetit të angazhimit për të ardhmen e demokracisë, lirisë dhe sigurisë jo vetëm për këtë vend, por dhe rajonin e gjithë botën. Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment faktin që Afganistani përpara 2001 ishte një vend ku stërviteshin e përgatiteshin terroristë, kamikazë dhe gjithfarësoj kulturash të vdekjes. Fakti që ky vend ishte baza kryesore e celulës kamikaze të fundamentalizmit islamik që goditi Amerikën më 11 shtator 2001 dëften për terrenin pjellor ku mbiu e Keqja e re e botës: terrorizmi me matricë fetare.
Kuptohet vetiu që vizita e kreut të qeverisë Berisha në Afganistan është domethënëse për angazhimin e Shqipërinë në rindërtimin e këtij vendi gjithmonë të trazuar dhe të traumatizuar nga luftërat dhe ideologjitë fanatike. Edhe sot që po shkruajmë kryeqyteti i Afganistanit, Kabuli, është nën sulmin e koordinuar të talebanëve, që me kamikazë shpërthyes dhe me luftë guerile po mbajnë nën presion rikthimin e normalitetin. Koalicioni i ISAF në operacionin “Enduring Freedom”, po përballet jo në një luftë konvencionale, me dy ushtri ballë për ballë, por me një luftë asimetrike, e përbërë nga beteja guerile urbane dhe rurale, si dhe pritash e vënie bombash nga kamikazët. Duke e pasur të pamundur të përballet drejtpërdrejt me fuqinë luftarake dhe teknologjike të koalicionit, talebanët dhe pjesëtarët e organizatës terroriste “Al-kaeda” po përdorin taktikën që kanë përdorur me sovjetikët, pra, lodhjen e kundërshtarëve, infiltrimin në forcave të sigurisë afgane dhe goditjen e befasishme me çfarë të mundin. Kujtojmë këtu faktin që prita e pabesë ku humbi jetën kapiten Feti Vogli ishte në një pikë kontrolli të policisë afgane, ku një element armik hapi zjarr ndaj konvojit civil që shoqërohej nga trupat amerikane dhe shqiptare “Eagle 4”.
Si njohës të mirë të terrenit, të përshtatur me kushtet e skajshme klimaterike dhe “ndihma” me informacione dhe logjistikë nga e ana e inteligjencës së vendeve fqinjë jo demokratikë u ka mundësuar talebanëve mbijetesën në ditë të vështira dhe riorganizimin për sulme të reja. Talebanët shfrytëzojnë për mbijetesën e tyre trafikun narkotik, i cili sjell përfitime të mëdha që shërbejnë më vonë për blerjen e armëve me të cilat ata luftojnë forcat tona tokësore. Edhe pa frymëzimin e kreu të organizatës terroriste Al-kaeda, Osama Bin Laden të vrarë në Pakistan, talebanët e Mullah Omar dhe muxhajdinët e klanit Hakani, po përpiqen të rezistojnë deri në fund të 2014, ku dhe është deklaruar tërheqja e pjesshme e NATO-s, nga Afganistani.
Sidoqoftë prania e shefit të qeverisë shqiptare në Afganistan është tregues për rëndësinë e jashtëzakonshme strategjike që i japin këtij angazhimi në këtë vend të largët pjesëtarët e aleancës veri-atlantike, NATO. Përgjatë samitit të Çikagos me 20-22 maj, krerët e shteteve dhe qeverive të aleancës do të vendosin për të ardhmen e asaj strategjie politike dhe ushtarake që quhet: “Të gjithë brenda, të gjithë jashtë”. Për të arritur këtë qëllim, së pari duhet të zvogëluar aftësia kryengritëse të talebanëve dhe elementëve terroristë, së dyti duhet mbështetur rritja e kapaciteteve dhe aftësive të forcave afgane të sigurisë kombëtare për të krijuar një Afganistan politikisht dhe ekonomikisht të qëndrueshëm. Pa marrë parasysh se përgjatë këtij procesi tranzicioni supozohet se do të menaxhojmë jo vetëm tërheqjen ushtarake, por edhe për të mbështetur “pajtimin” politik të vendit, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen e institucioneve të Afganistan.