Vokshi, sfidë Ramës: Të përballemi në debat televiziv
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, i bën një tjetër sfidë kryesocialistit Edi Rama duke e ftuar atë në një përballje televizive për çdo akuzë të ngritur. Ajo siguroi dje se do të vazhdojë denoncimin e të tjera aferave të kryesocialistit dhe kryebashkiakut të Tiranës, korrupsionin e lejeve të ndërtimit dhe gjobat e panumërta që shantazhojnë biznesin e ndërtimit. Sipas saj, kryebashkiaku Edi Rama, mbetet gjobvënësi më i madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë. Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, e ka ftuar Edi Ramën në një debat të hapur televiziv, ku zonja Vokshi është e gatshme të vërtetojë me dokumente gjobat marramendëse të Edi Ramës për lejet e ndërtimit këta 12 vjet. Unë jam e gatshme që me dokumente dhe fakte konkrete të vërtetoj gjobat e vëna dhe pasurinë tënde marramendëse, të vënë në mënyrë të paligjshme në 12 vitet e tua në pushtet, të marrë nëpërmjet sekserëve të tu, të vënë në emër të partnereve dhe partnerëve të tu, - deklaroi nga kryesia e Kuvendit, deputetja Vokshi. Zonja Vokshi deklaroi sakaq E kam theksuar që dokumenti i djeshëm është vetëm një prej dokumenteve të shumtë, që vërtetojnë se je gjobëvënësi më i madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë. Sipas deputetes demokrate Albana Vokshi, Vetëm për projektin e zonës së liqenit, i ashtuquajturi projekti Tirana Rock, gjoba jote shkon mbi 100 milionë euro. Zoti 20%, nëse je burrë e të ka mbetur qoftë edhe një fije burrërie, nxirre lepurin nga barku, dhe hajde përballemi në secilën studio televizive që mund ta zgjedhësh ti, - i bëri thirrje kryetarit të PS-së dhe kryebashkiakut Rama deputetja Albana Vokshi. Zonja Vokshi theksoi ndërkaq: Zoti Rama, denoncimit tim të djeshëm, me dokumente dhe fakte konkrete, ju iu përgjigjët nëpërmjet çakejve, të cilët përdorën një gjuhë, që është e denjë vetëm për ju. Deputetja demokrate tregoi se janë pikërisht shpifjet dhe trillimet, që sipas saj, shpalosin fytyrën e vërtetë prej bllokmeni, të Edi Ramës. Nëse thoni, që unë gënjej se nuk ka vakum ligjor në procesin e deklarimit të pasurisë, pse ti Edvin Kristaq Rama ke fshehur për 12 vjet me radhë pasurinë, që ti vetë e ke vënë në emër të jo një, por të disa partnerëve që tashmë njihen nga të gjithë, - bëri me dije deputetja Vokshi, duke i bërë thirrje Ramës të mos fshihet pas çakejve fatkeqë.