E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Tahiri: Vokshi të deklarojë pasurinë e Tartarit

Për Partinë Socialiste deklaratat e bëra nga deputetja e PD-së, Albana Vokshi, janë një përpjekje për tu fshehur nga e vërteta. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, deklaroi dje se opozita kërkon përgjigje konkrete për faktet e sjella për koncesionet e marra nga bashkëshorti i saj. Akuzat ndaj zonjës Vokshi dhe Arjan Tartarit janë konkrete dhe si të tilla kërkojnë përgjigje konkrete. Shmangia e këtyre përgjigjeve me shpifje e trillime është jo vetëm e papranueshme, por mbi të gjitha një shenjë e qartë e nervozizmit që ndien zonja Vokshi, - tha Tahiri. Sipas tij, deputetja Vokshi duhet të japë llogari për arsyet se pse nuk e ka deklaruar pasurinë e bashkëshortit të saj. Tahiri shtoi se nuk ka vakum ligjor për këtë çështje. Nga ana tjetër, ai kërkoi nga deputetja edhe sqarimin e pozicionit të saj për dhënien e koncesioneve. Albana Vokshi duhet të na sqarojë rolin e saj në sigurimin e koncesioneve të naftës e gazit, në 4 nga 6 fushat naftëmbajtëse të Shqipërisë, për një kompani të sapokrijuar e pa eksperiencë, aseti i vetëm i së cilës ishte mbështetja politike e Albana Vokshit dhe e shefit të saj, Sali Berisha, - tha Tahiri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›