E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Rama e ktheu PS-në në partinë e Lepurit

PD-ja akuzon kreun e opozitës, Edi Rama, për përfshirje në aferat korruptive të zbardhura tani së fundi nga deputetja Albana Vokshi. Lidhur me dokumentet e publikuara nga deputetja Albana Vokshi që shpalosin korrupsionin e kryebashkiakut Edi Rama në dhënien e lejeve të ndërtimit, duke u bërë edhe vetë Rama aksioner me 20 për qind interes, ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike për kryeqytetin, Gert Bogdani. Deputeti Bogdani, duke iu referuar fakteve të publikuara, deklaroi se tashmë kryetari i Bashkisë së Tiranës ka dalë zbuluar dhe fund e krye i përfshirë nga korrupsioni, pikërisht nëpërmjet sekserit të tij, zotit Lepuri, i cili sipas Bogdanit futet aksioner me hir apo me pahir në kompaninë e Vision Construction me një shumë prej 20% apo 100 milionë euro. Bëhet fjalë pikërisht për zonën në Kodrat e Liqenit, ku në planin rregullues të zotit Rama në këtë zonë parashikohet ndërtimi i pallateve 26 deri në 30 kate. Pra, e vetmja hapësirë e gjelbër e mbetur në qytetin e Tiranës shndërrohet në një hapësirë të betonizuar, - theksoi deputeti demokrat në një dalje publike për mediat. Sipas deputetit Bogdani, e gjithë kjo tregon dhe fakton se zoti Rama jo vetëm që nuk ka vizion për qytetin e Tiranës, por shikimi i tij është errësuar nga paratë që merr nga lejet e ndërtimit. Madje, deputeti demokrat nënvizoi edhe faktin se plani rregullues, pamja aktuale e zonës pa asnjë ndërtim, gjelbërim, pishina dhe lojëra për fëmijët e qytetit dhe plani që Rama ka për këtë zonë, pallate 30-katëshe, tregojnë se Edi Rama e ka kthyer kryeqytetin në një qytet betoni, duke i zënë përfundimisht frymëmarrjen Tiranës, Partinë Socialiste në partinë e lepurit dhe lepujve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›