E Shtunë, 31 Tetor 2026

Volfart: Të zhbllokohen dekretet e presidentit

Eugen Volfart

Kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Volfart, i ka bërë thirrje maxhorancës qeverisëse që të zhbllokojë dekretet e presidentit sa i takon emërimeve në Gjykatë Kushtetuese dhe atë të Lartë. Komenti i ambasadori është bërë gjatë vizitës në qytetin e Vlorës, ku u takua me kreun e bashkisë, Shpëtim Gjika.

Tre kandidatura kanë mbetur pezull prej shumë muajsh tashmë. Janë propozuar personalitete shumë serioze dhe duhet marrë një vendim në respekt të Presidentit që ka propozuar këta kandidatë. Për shembull, kandidatura e z. Artan Hoxha për Gjykatën Kushtetuese duhet parë si një kandidaturë shumë serioze, tha Volfart.

Gjithashtu ambasadori ka komentuar edhe mbi procesin për zgjedhjen e presidentit të ri, ku vlerësoi dialogun mes partive. Ai bëri thirrje që procesi të finalizohet me një rezultat të mirë.

E vlerësoj së tepërmi dialogun që po zhvillohet, në formate të ndryshme, midis personaliteteve shqiptare, përfshirë atë mes kryetarëve të partive. E shoh si një dialog dinjitoz dhe të rëndësishëm, sepse, në fund të fundit, bëhet fjalë për një vendim të shqiptarëve për numrin një të shqiptarëve. Pra, po zhvillohet një proces i mirë, që, me shpresë, do të çojë në një rezultat të mirë, është shprehur kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri. /F.S/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›