E Shtunë, 31 Tetor 2026

Von Trir, përjashtohet nga Cannes

Nga Express më 19 maj 2011 në ora 18:39

Filmbërësit danez, Lars von Trir, i është ndaluar pjesëmarrja në Festivalin e filmit të Cannes, për shkak të deklarimeve të tij se ai ndjen keqardhje për Adolf Hitlerin.

Një komunikatë e organizatorëve të Kanës njofton sot se von Trir është shpallur “persona non grata” në Festivalin e Cannes, për shkak të komenteve të tij të bëra dje.

Komunikata i ka quajtur deklarimet e danezit “të papranueshme, të pa-tolerueshme dhe në kundërshtim me idealet e njerëzimit dhe bujarisë”.

Në një konferencë për media, von Trier, duke folur për Hitlerin, ka thënë: “ai nuk është një person që do të mund ta quaje të mirë, por unë e kuptoj në shumëçka atë, dhe pak a shumë ndiej keqardhje për të”.

Pas kësaj deklarate, ai ka thënë se ishte duke bërë shaka, ndërsa më vonë bëri publike edhe një kërkim-falje me shkrim.

Deklarata e sotme nuk e sqaronte nëse filmi i Lars von Trir, “Melankolia”, është përjashtuar gjithashtu nga gara e Cannes.

Von Trir e ka fituar çmimin kryesor të Festivalit të Cannes, Palma e Artë, në vitin 2000, me filmin, “Dancer in the Dark”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›