E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vonesat për reformën zgjedhore janë të pajustifikueshme”

14-11-2011 / Gazeta 55

Ilir Meta përsërit apelin

Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh shqetësim për vonesat e deri tanishme për nisjen e punës për reformën e re zgjedhore. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një takimi me strukturat drejtuese në rrethe tha se palët nuk kanë ç’të presin më, por të nisin pa vonesë bashkëpunimin për një proces transparent dhe gjithëpërfshirës. Nisur nga përvoja e zgjedhjeve të kaluara, Meta tha se reforma nuk duhet menduar vetëm për një palë zgjedhje.
“Transparenca është e domosdoshme dhe jetike që procesi i reformës zgjedhore të jetë i suksesshëm dhe i besueshëm për publikun dhe për qytetarin shqiptar. Mungesa e transparencës e shfaqur më parë nuk ka sjellë përmirësime, përkundrazi ka kontaminuar besimin te zgjedhjet dhe ka sjellë kontestimin e tyre nga pala humbëse. Zgjedhjet janë momenti më solemn kur qytetarët ushtrojnë pushtetin e tyre, prandaj edhe reforma zgjedhore nuk mund të jetë e fshehur për publikun, nuk mund të jetë larg syve dhe vëmendjes së tij dhe nuk mund të lihet për minutat e fundit sikurse ka ndodhur në të kaluarën. Ndërkaq, i të njëjtës rëndësi është edhe karakteri gjithëpërfshirës i kësaj reforme, e cila nuk është një çështje bipartiake apo tripartiake, pavarësisht peshës politike dhe elektorale që mund të përfaqësojë njëra apo tjetra parti. Çështjet e reformës zgjedhore janë çështje të jetës politike dhe institucionale të vendit”, u shpreh Meta.
Ndaj Ilir Meta bëri apel se duhet të nxjerrim mësime nga e kaluara dhe duhet që të mos bëjmë reformë për një palë zgjedhje, por të vendosim themele të shëndetshme për demokracinë dhe institucionet në një plan afatgjatë.
“Ky qëndrim i yni është në koherencë të plotë me qëndrimin tonë, që nga themelimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vonesat e deritanishme janë të pajustifikuara. Asnjë arsye parimore nuk ka që të mos nisë puna për reformën zgjedhore. Prandaj, është koha për t’i dhënë fund fjalëve dhe për të kaluar në veprime konkrete”, tha më tej ai.
Krahas kësaj, Meta ka kujtuar se në Kuvend kanë mbetur pa u miratuar një sërë ligjesh të rëndësishëm e të domosdoshëm për integrimin e vendit, për të cilët duhet gjetur sa më parë rruga e dialogut.
Meta ritheksoi angazhimin e LSI-së për bashkëpunim në kuadër të integrimin, duke kërkuar gjithashtu edhe pjesëmarrjen e partive të tjera.
Sipas tij, BE në deklaratat e dhëna i ka lënë të qarta mesazhet, ndaj palët nuk kanë ç’të presin më, por të nisin bashkëpunimin.
LSI ka nisur zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese në bazë. Në takimin e fundit të zhvilluar në Korçë, kreu i LSI, Ilir Meta shoqërohej nga n/Kryetari Petrit Vasili dhe sekretari politik i qarkut të Korçës Piro Kapurani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›